SHBA i refuzon vizën Kryeministrit të Kosovës
Ajo që raportuan mediat në Prishtinë një ditë më parë se kryeministrit Ramush Haradinaj i është refuzuar viza për SHBA, është një lajm i vërtetë, që konfirmohet edhe prej kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marrë vizën”.
“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, është shprehur Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s, e cila organizonte një event ku Haradinaj ishte i ftuar.
Por kryeministri i Kosovës ka thënë se është duke pritur të marrë vizën. Ramush Haradinaj do të udhëtonte në SHBA për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, si dhe në disa aktivitete të tjera të organizuara në shtetin e Iowa-s. Ndonëse arsyet e refuzimit të vizës nuk bëhen ende publike, dyshimet janë se ky akt i fortë i SHBA-së për Kryeministrin e Kosovës, vjen për shkak të nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.
Thaçi e Haradinaj e kanë mbështetur iniciativën e disa deputetëve nga partitë e krahut të luftës, për të shfuqizuar në Kuvend ligjin për Gjykatën Speciale, një organ ndërkombëtar që do të hetojë për krimet e luftës në Kosovë. Ndërkombëtarët, përfshi këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë të prerë kundër kësaj nisme. Ata i kanë bërë thirrje Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, t’i japin fund këtij plani.
Tentativa për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale është përplasja më e madhe e Kosovës me faktorin ndërkombëtar, që prej shpalljes së pavarësisë 10 vjet më parë. Një deklaratë e ashpër kundër drejtuesve të Kosovës është bërë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në fund të këtij muaji, kur Kuvendi i Kosovës rinis sërish punimet.