Blerina Shalari, një muzikologe e re shqiptare
Studiuesja Blerina Shalari sapo ka mbrojtur titullin doktore e shkencave, me një temë në folklor mbi iso-polifoninë shqiptare.
Blerina i përket komunitetit të personave me dëmtime në shikim, por kjo nuk e ka penguar, që me vullnetin e saj të fortë, të bëhet kompozitore e njohur dhe studiuese muzike.
Gjatë 27 vjetëve nga krijimi i Shoqatës Shqiptare të të Verbërve, kanë kryer studimet universitare mbi 1 mijë pjesëtarë të saj, megjithëse, siç pohojnë ata, ndihma shtetërore nuk ka qenë e mjaftueshme.
Blerina Shalari nuk është më ajo pianistja e vogël e Liceut Artistik, si njihej në Tiranë prej disa vitesh.
Duke hedhur poshtë mosbesimin, diskriminimet apo nënvlerësimin, ajo arriti të bëhet një studiuese shkencore e nivelit më të lartë.
“Pas masterit universitar në kompozim, kam krijuar shumë pjesë të reja muzikore, dhe më pas mbrojta doktoraturën mbi folklorin dhe iso-polifoninë labe, me mbështetjen e prof. Vaso Tole” – thotë ajo.
Bashkësia e personave me shikim të dëmtuar nuk mbështeten sa duhet nga institucionet shtetërore.
Por ata mbajnë në radhët e tyre talente si Blerina, e cila tashmë pas studimeve të gjata, punon në akademinë e studimeve albanologjike.
Blerina Shalari studioi piano për shumë vite dhe tashmë është një nga kompozitoret e njohura të Shqipërisë, ndërsa krijimet e saj kanë tejkaluar kufijtë e Shqipërisë.
Shoqata e të verbërve mundohet me cdo mënyrë prej 27 vjetësh, që të përkrahë talentet e kësaj bashkësie për të mbijetuar vështirësive të jetës dhe për të shprehur aftësitë e tyre.
Me një mbështetje më të madhe, ata mund të ecin më shumë në fushat e ndryshme të krijimtarisë.
Dhe të tregojnë se njeriu mund të shohë edhe pse ka dëmtime shikimi, ashtu si mund të jetë i verbër, edhe pse i ka sytë në ballë.