Albspirit

Media/News/Publishing

Ivanoviç kishte krime lufte në Kosovë, por vrasja është akt burracak

 

 

Ana Mehmetaj

 

Kosova dhe Serbia janë tronditur nga vrasja e liderit të partisë së pakicës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Kreu i partisë “Liri, Demokraci dhe Drejtësi” është përballur me drejtësinë për krime lufte, pasi dyshohej se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë në 1999. Kur Ivanoviç u arrestua në janar 2014, shkaktoi protesta të serbëve të Kosovës.

Gjykata Themelore në veriun e Kosovës e drejtuar nga misioni i BE për sundimin e ligjit e dënoi me 9 vjet heqje lirie, por ai vuajti vetëm 2 vite burg.

Gjatë luftës në Kosovë, Ivanoviç ishte anëtar i grupit paramilitar serb, i cili patrullonte urën kryesore në Mitrovicë duke e ndarë qytetin në sektorë serbë dhe shqiptarë. Më 27 janar 2014, Ivanoviç u arrestua me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Më 10 shkurt 2015, qeveria serbe ofroi garanci se Ivanoviç do të mbetet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në çdo kohë dhe kërkoi lirimin e tij.

Nisma e tij politike u ishte nënshtruar trysnive gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor në tetor të 2017, në të cilat fitoi “Lista Serbe”, një forcë politike që është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Ivanoviç ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile. Në shkurt të  2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë dhe ai tashmë gjykohej në liri.

Prishtina zyrtare e ka dënuar këtë akt dhe ka vënë në dispozicion të gjitha institucionet dhe mjetet për të gjetur ekzekutuesit dhe nga ana tjetër ajo është e hapur për çdo lloj hetimi, qoftë edhe nga faktori ndërkombëtar. Vetë lideri i vrarë pabesisht në një akt burracak kishte paralajmëruar vrasjen e tij dhe madje kishte treguar gishtin nga Beogradi, por kjo mbetet për t’u verifikuar.

Përpos kësaj ngjarje të rëndë është i papranueshëm anullimi i bisedimeve Tiranë-Beograd, pasi të dyja palët duhet të shohin nga e ardhmja, me fat të përbashkët në Bashkimin Europian dhe në NATO.

 

Please follow and like us: