Alibeaj: Lirimi i Durim Keçit, prova e marrjes peng të drejtësisë nga Rama
Në vazhdën e thirrjeve publike për pjesëmarrje masive të qytetarëve në protestën e 27 janarit, Partia Demokratike ka ftuar sërish sot shqiptarët që t’i bashkohen tubimit.
Nëpërmjet një deklarate për mediat të deputetit Enkelejd Alibeaj, PD ka cilësuar lidhjet e qeverisë me kriminelë si Durim Keçi, si një nga arsyet që duhet të shtyjë shqiptarët të dalin në sheshin e protestës.
Alibeaj tha se qeveria mori peng reformën në drejtësi si formë garancie për lirinë e kriminelëve, me të cilët ndan pushtetin.
“Një tjetër kriminel është jashtë. Durim Keçi është liruar nga burgu. Me shumë mundësi nuk do të ekstradohet në Itali, ku është dënuar për trafik droge. Lulzim Basha e paraljmëroi se Durim Keçi do t’i shpëtonte drejtësisë, sepse kishte mik kryeministrin Edi Rama, të cilit i ka shërbyer në çdo palë zgjedhje. Reforma në drejtësi u përdor për të çliruar nga drejtësia kriminelë si Keçi dhe të tjerë të fuqishëm që kërkohen për ekstradim në Itali”, tha Alibeaj.
Ai renditi më tej vendimet pro ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe biznesmenit Orest Sota, si prova që Rama ka kapur drejtësinë dhe ka blerë zgjedhjet e 25 qershorit.
“Që kur Edi Rama emëroi kryeprokurorin e përgjithshëm pa vetting dhe në kundërshtim me Kushtetutën Saimir Tahirit iu kthye pasaporta dhe ai mund të lëviz i lirë. Orest Sota u la i lirë. Trafikantëve të Xibrakës iu ul dënimi. Bashkë me lirimin e kriminelit Durim Keçi, këto janë prova sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet, pushtetin dhe po e mban atë duke kapur reformën në drejtësi”, deklaroi deputeti i PD.