Prezantohet struktura e re e Prokurorisë
Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku zhvilloi ditën e sotme një takim me prokurorët dhe drejtorët.
Shefja e organit të akuzës i paraqiti atyre ndryshimet në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas Markut ndryshimet janë në përputhje të plotë me paketën e reformës në drejtësi dhe korrespondojnë me dispozitat “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
“Trupa e prokurorëve ndodhet para procesit historik të rivlerësimit. Proces rivlerësimi prek të gjithë prokurorët e sistemit të drejtësisë. Procesi është i nevojshëm për të përmirësuar, me zgjidhje konkrete problematikat”, mësohet të ketë thënë Marku.
Kryeprokurorja ka theksuar se procesi i rivlerësimit, nuk duhet të shihet nga prokurorët si një formë ndëshkimi.
Angazhimi tërësor dha sukses, kryesisht në ngritjen në rang drejtorie të Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve.
Në këtë drejtori, sektori i hetimit disiplinor, krijohet pas thuajse një viti si risi dhe në përputhje me kërkesën e posaçme të dispozitave kalimtare të Ligjit 97/ 2016, neni 160, pika 5.
Marku theksoi se kjo drejtori, do të ofrojë kapacitetet më të mira në funksion të hulumtimit të problematikave gjatë zbatimit të ligjit në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.
“Kjo drejtori do të reflektojë gjithashtu udhëzimet me karakter të përgjithshëm të Kryeprokurorit, elaburimin e fushave ku mund të ndërtohen projekte të së ardhmes së prokurorisë, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të burimeve të prokurorisë”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Në përputhje me të drejtën e informimit publik dhe rolin e pazëvendësueshëm të medias, saktësojmë ndryshimet në strukturën e re të Prokurorisë së Përgjithshme:
1-Drejtoria Gjyqësore;
2-Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;
3-Drejtoria e Përgjimeve të Telekomunikimit dhe Marrëdhënieve me Shërbimet Informative;
4-Drejtoria e Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve;
5-Drejtoria e Teknologjisë, Informacionit dhe Ekspertizës Kibernetike.
6-Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.
Në mbledhje u prezantua edhe Kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm.
“Trupa e prokurorëve ndodhet përpara procesit historik të rivlerësimit për vetë prokurorët dhe tërë sistemin e drejtësisë. Mbështetje të vendosur për çdo prokuror për të vazhduar me përkushtim ushtrimin e funksioneve, që procesin e rivlerësimit ta shohin jo si ndëshkim, por si mundësi për dinjitet, reputacion për vete dhe institucionin. Ky proces është i domosdoshëm për të përmirësuar problematikat e të shkuarës dhe për të vazhduar me forcë përpara në shërbim të interesave madhore të përbashkëta” – tha Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku.
Prokurorja e Përgjithshme çmoi me bindje mundësimin e përparimit të vazhdueshëm të prokurorisë në garantim të zbatimit të ligjit dhe përmbushjen e misionit të saj kushtetues.