Albin Kurti: Shoqet tona të partisë janë ngacmuar seksualisht
Pasi fenomeni i ngacmimeve seksuale tronditi mbarë botën e showbizit amerikan dhe politikën europiane, duket se tashmë po vjen më afër nesh. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një deklaratë të pazakontë mbrëmjen e së mërkurës, pranoi publikisht se brenda partisë së tij ka pasur raste kur aktiviste të këtij subjekti janë ngacmuar seksualisht. Kreu i Vetëvendosjes, pohoi se në partinë që ai drejton ka pasur raste kur gratë janë keqtrajtuar, fenomen ky që ka sjellë largimin e tyre nga Vetëvendosje. Kurti: “Kemi raste kur vjen një vajzë në Lëvizjen Vetëvendosje. Vjen një herë, vjen dy herë… edhe nuk vjen më. Aty ka ca burra, djem që i lëshojnë fjalë dhe ngacmojnë”.
Pas deklaratave të kreut të sapozgjedhur të Vetëvendosjes, i menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetes Shqipe Pantina, e cila para pak kohësh dha dorëheqjen nga pozitat e kësaj partie. Pantina deklaroi për Gazeta Express, se asnjëherë nuk ishte përballur me raste të tilla. Ajo mohoi të ketë parë, apo të ketë dëgjuar ndonjëherë që gratë brenda Vetëvendosjes të jenë ngacmuar seksualisht. Pantina: “Unë asnjëherë as nuk kam dëgjuar, as nuk kam parë diçka të tillë në Vetëvendosje, të paktën për mua është risi. Kam qenë aktive, kam shkuar shpesh në zyra, por një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar asnjëherë. Vetëvendosja e ka sekretariatin e gruas që merret me çështje gjinore. Por, unë nuk kam dëgjuar asnjëherë e askush nuk më është ankuar, sepse po ta dija do ta ngrija brenda Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo edhe te organet e drejtësisë”.
Deputetja e Kosovës, Shqipe Pantina, vuri në dukje se ishte e habitshme që pas shumë vitesh pune në një parti të bëhen tani deklarata të tilla nga vetë themeluesi i Vetëvendosjes. Pantina akuzon Kurtin se nëse ka qenë në dijeni të këtij fenomeni, pse nuk ka bërë asgjë për të parandaluar këto raste.