Rama, ftesë publike Nanos për rikthim në PS
Nuk dihet nëse është një hap i koordinuar duke qenë se kohët e fundit thuhet që ka një komunikim midis tyre, por kryeministri Edi Rama ka bërë fakt të kryer një ftesë për rikthimin në radhët e PS të figurës historike të kësaj partie, ish-kryeministrin Fatos Nanon. Kryesocialisti ka bërë një ftesë të hapur duke thënë se ka ardhur koha që energjitë e Fatos Nanos, por edhe të larguarve të tjerë të bëhen bashkë për të marrë në dorë përgjegjësitë e së ardhmes së Shqipërisë.
“Për t’i dhënë mundësinë e atyre që janë më të rinj që nuk e njohin mjaftueshmërisht historinë tonë që nuk kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë protagonistët e së djeshmes. Sigurisht që duhet të bëj bashkë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Ethem Rukën, Luan Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë njerëz që kanë pasur përgjegjësira të mëdha në momente të caktuara me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe pesha”,- tha Rama gjatë një takimi të fondacionit “Qemal Stafa”.
Ftesa vjen në një kohë kur ish-kryeministri ka bërë një fushatë pozitive për qeverisjen e Ramës.