Albspirit

Media/News/Publishing

Pakti detar dhe çështja çame, Rama i përgjigjet LSI dhe PDIU: Janë ndezur sot flakë e zjarr

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje reagimit të PDIU-së dhe LSI-së, pasi kreu i diplomacisë greke Nikos Kotzias dha detaje për marrëveshjen që po diskutohet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama shprehet se patriotë me çizme e çamaristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, sipas Ramës janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti.

“Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti.

Janë të mjerë që meritojnë veç mëshirë, po kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin”, shkruan Rama.

Më tej kryeministri thekson se “ndërkohë mos dysho hiçfare se ne që ditëm t’i hapëm me kurajo e dinjitet, hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim ne dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim”.

Më herët PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kërkuan nga kryeministri dhe Ministria e Jashtme të informojnë shqiptarët dhe në veçanti ata çamë, për ecurinë e bisedimeve për një nga çështjet më të ndjeshme për mbi 300 mijë qytetarë të tyre, të cilët presin që autoritetet shqiptare të trajtojnë me detyrim kushtetues e reciprocitet zgjidhjen e kësaj çështje, ku u masakruan 20% e popullsisë dhe 80% e saj u shpërngul në një pastrim etnik të paparë në Europë.

Po ashtu ish- ministrja e Integrimti, Klajda Gjosha përmes një statusi në rrjetet sociale akuzoi ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati se prej 24 orësh po mashtron me ato që deklaron duke nisur nga çështja çame e deri tek marrëveshja e detit me Greqinë.

Please follow and like us: