Pse u arrestua sot në Tiranë djali i “Tit Gazhelit”, biznesmenit të marrë peng në 1998
Policia e Tiranës ka arrestuar sot në kuadër të një operacioni anti-drogë të koduar “Profesori” 3 shtetas, mes të cilëve edhe Gazmend Gazheli, 46 vjeç, i njohur me pseudonimin ‘profesori’, banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për “Prodhim e shitje të narkotikëve”. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se në zonën e “Brrylit, Ali Dem, Shkozë” merreshin me shitjen e lëndës narkotike të llojit “Heroinë dhe Kokainë”.
Por kush është Gazmend Gazheli i njohur me pseudonimin “Profesori” dhe djali i Petrit Gazhelit i njohur si ‘Tit Gazheli’, biznesmen dhe i marrë peng në vitin 1998?
“BalkanWeb” mëson se Gazmend Gazheli është arrestuar edhe në dhjetor të vitit 2008 për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Gazmend Gazheli është djali i Petrit Gazhelit, i cili është bërë i njohur në fund të vitit 1998 kur ai është marrë peng. Më 9 dhjetor të atij viti ai po udhëtonte me makinë nga Tirana në Elbasan kur është ndaluar në mes të rrugës dhe është marrë peng nën kërcënimin e armëve. Familjes së Petrit Gazhelit, një nga biznesmenët më të njohur të konfeksioneve nga Turqia, i kërkonin dy milionë dollarë, ndërkohë që ai iu dha 400 mijë USD.
Ai u lirua pas një operacioni të policisë por asnjë herë nuk u mësua shuma e vërtetë që u pagua dhe se kush ishin pengmarrësit. Jehona e ngjarjes zgjati shumë por në maj të vitit 2000 Tit Gazheli u bë sërish personazh i njohur. Ai u arrestua në Greqi pasi në kamionin me konfeksione që vinte nga Turqia u gjetën 11 kilogramë heroinë. Për këtë gjë ai u dënua me 18 vjet burg në Greqi. Pas shumë apelimesh ai gjeti mundësinë që të kryente pjesën e mbetur të dënimit në vendin tonë. Kjo e ndihmoi edhe në konvertimin e dënimit duke përfituar një ulje të konsiderueshme. Tashmë Gazheli nuk ndodhet më në burg.
Operacioni i policisë sot:
Operacioni i koduar “PROFESORI”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas që shpërndanin drogra të forta Kokainë dhe Heroinë, ku u sekuestruan 165 gramë Heroinë dhe një sasi e vogël Kokaine.
2-Në operacionin e koduar “PROFESORI” , u arrestuan në flagrancë në afërsi të “Bërrylit” shtetasit:
Gazment Gazheli, 46 vjeç, banues në Tiranë i dënuar më parë për “Prodhim e shitje të narkotikëve”, Kristian Karanxha, 27 vjeç, banues në Tiranë, dhe V. G, 68 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shtetasi Gazmend Gazheli me pseudonimin “Profesori” në bashkëpunim me shtetasin Kristian Karanxha me pseudonimin “KIÇI”, dyshohet se në zonën e “Brrylit, Ali Dem, Shkozë” merreshin me shitjen e lëndës narkotike të llojit “Heroinë dhe Kokainë” .
Në momentin e ndërhyrjes, shtetasit Gazmend Gazheli ose me pseudonimin “Profesori” , policia i ka gjetur një sasi pluhuri të bardhë të dyshuar lënde narkotike të llojit “Kokainë”.
Në këto kushte është ushtruar kontroll në të dyja banesat e shtetasëve të mësipërm.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Gazmend Gazheli iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 165 gramë e dyshuar narkotike e llojit ” Heroinë”.
Në kohën që po hynte policia kontroll në këtë banesë, shtetasia V. G (e ëma) është kapur me dy qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Heroinë”, të cilat po tentonte ti hidhte jashtë banesës.
Po gjatë kontrollit në këtë banesë u gjet edhe një sasi tjetër lënde narkotike e llojit Heroinë e ndarë në 27 doza.
Ndërsa nga kontrolli i banesës së ushtruar shtetasit Kristian Karanxha me pseudonimin “KIÇI” , është gjetur një qese e tejdukshme brenda të cilës kishte 3 (tre) porcione, doza me pluhur të bardhë e dushuar si lëndë narkotike e llojit “Kokainë”.