“I përjashtuan se folën keq për Bashën”, PD e Vlorës i përgjigjet Patozit
Ish-deputeti i PD-së Astrit Patozi denoncoi sot se tre anëtarë të selisë blu në Vlorë ishin përjashtuar pasi kishin kritikuar Lulzim Bashën. Ndaj këtij komenti ka ardhur një kundërpërgjigje nga Partia Demokratike Dega Vlorë. Ajo ka shpjeguar arsyet se përse tre anëtarët janë larguar nga detyra
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike Dega Vlorë hedh poshtë shpifjet për përjashtim të anëtarëve të kryesisë së kësaj dege. Në respekt të anëtarëve të PD të Vlorës, të demokratëve në të gjithë Shqipërinë dhe të qytetarëve që na besojnë dhe votojnë për ne, ju informojmë për të vërtetën e padeformuar. Në mbledhjen e datës 10.02.2018, kryesia e PD të Vlorës respektoi plotësisht statutin e Partisë Demokratike, pa përjashtuar askënd. Përsa u përket përsonave të përfolur si të përjashtuar, e vërteta është se:
1-Dritan Kokoshi, anëtar i hershëm i PD dhe aktiv në veprimtaritë politike të PD, është dorëhequr me mirëkuptim për arsye personale. Ai mbetet anëtar i vleresuar dhe i respektuar.
2-Asqeri Bulla, prej më shumë se 8 muaj, është tërhequr nga aktivitetet politike të degës duke mos ushtruar detyrën e anëtarit te Kryesisë.
3-Mirela Shekaj, drejtuese departamenti, nuk e ushtron detyrën e saj prej 8 muajsh.
Në mbledhjen e datës 10.02. 2018, Kryesia e PD Vlorë formalizoi detyrimin statutor, që parashikon zëvendësimin e anëtarit të kryesisë, nëse ai nuk merr pjesë në mbledhje 6 muaj rresht.