Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Seci: Panda dhe Pandi…

Javës që kaloi, Washington DC u nderue nga vizita e dy specieve të veçanta; Panda dhe Pandi…
Panda dhe Pandi janë dy specie te veçanta… Panda asht e veçantë, sepse asht specie e mbrojtun, ngaqë rrezikon me u zhdukë, kurse Pandi asht specie e veçante, sepse as dreqi nuk e han. Të dy këto specie janë pronësi e qeverive te vendeve nga vijnë. Panda asht ba simbol i Republikës Popullore të Kinës në Perëndim, kurse Pandi asht emnue simbol i Republikës së Shqipnisë në Perendim.

Të dy, si Panda ashtu edhe Pandi janë figura diplomatike. Panda ka kohë që asht ba mjet mjaft efikas i diplomacisë kineze në Perëndim, sepse Panda gjindet vetëm në Kinën qendrore në rajonet Sichuan, Shaanxi dhe Gansu, dhe si e tillë jepet vetëm me qera në Perëndim. Panda kudo që ta shihni nëpër kopshte zoologjike mbajeni mend se asht e dhanun me qera. Asht mjet diplomatik për Kinën, kur iu dha me qera kopshtit zoologjik të Berlinit, në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti kinez Xi Jinping. Pa harrue faktin se Panda që iu dha me qera kopshtit zoologjik të Berlinit, iu dha për 15 vjet dhe Gjermania ka me pague 1 milion dollarë në vit për të…

Krejt ndryshe asht puna për diplomacinë e Pandit…, kur Pandi viziton Perëndimin nuk e presin as kancelarë dhe as presidentë, bile nuk e begenisin as kopshtet zoologjike…, sepse Pandi nuk ka dhunti argëtuese, edhe pse qeshë tanë kohës, gojën vesh më vesh si maskë kllouni, prapë se prapë nuk mbledh dot spektatorë siç mbledh Panda në cilindo kopsht zoologjik në Perëndim. Se për me u dhanë me qera Pandi as bahet fjalë, se pranon kush, prite Zot me dhanë kush 1 milion dollarë në vjetë për Pandin. Pandi vetëm çka të marrin se për me nxjerrë dollarë as bahet fjalë. Pandi nuk ka nxjerrë lekë kurrë në jetë tē vet, pa mbarue shkollën e lartë u ba deputet dhe rrojti si asgjëbërës për 27 vite me radhë… Për 27 vjet me radhë atij nuk i ka thanë kush:
– “A u lodhe Pandi?”
Në vizitën qe bani në diasporë, Pandin as për klloun në ndonji datëlindje femijësh se mori kush, sepse siç e theksuem nuk ka kurrfarë dhuntie argëtuese… nashta me pasë mbajtë ndonji fjalim në anglisht si atë fjalimin famoz para mixhajedinëve iranianë në Tiranë, edhe kish shkaktue të qeshuna, sepse Pandi e masakron anglishten ma zi se Panda kërcenjtë e bambuve…
Panda asht specie e mbrojtun, se rrezikon me u zhdukë, kurse Pandi as kund ngat nuk ia ban me u zhdukë… Panda ban nji zog të vockël e kur lind ai bahet lajm botnor, kurse për Pandin se çan kush kryet, sepse si thonë napolitanët: “Nana e budallës asht gjithmonë shtatzanë”…

Please follow and like us: