Albspirit

Media/News/Publishing

Mediat greke: Presidenti i vuri flakën marrëdhënieve Shqipëri-Greqi!

Mediat greke kanë pasqyruar gjerësisht qëndrimin e Presidentit Ilir Meta në lidhje me negociatat me Greqinë, i cili refuzoi të japë autorizimin për negociatat finale. “Presidenti shqiptar vë pengesa në negociimin mes Greqisë dhe Shqipërisë për marrëveshjen e përcaktimit të vijës detare mes dy vendeve”, shkruan “Proto Thema”. Referuar mediave shqiptare, “Proto Thema” shkruan se “Presidenti Meta refuzoi kërkesën e ministrit të Jashtëm për të hyrë në fazën finale të negociatave, pasi vlerësoi se kërkesa është e paqartë”. “Presidenti shqiptar iu vë flakën marrëdhënieve shqiptaro-greke”, shkruan “Enikos.gr” dhe “To Pondiki” që kanë qenë më kritike ndaj Metës. Lajmi është publikuar pothuajse në të gjitha portalet e vendit, ku me një gjuhë kritike, mediat greke bëjnë kujdes që të kursejnë sulmet e drejtpërdrejta ndaj Presidentit Meta. Kjo pasi, siç shkruajnë mediet, Meta është i pranueshëm nga të gjithë në Greqi, për shkak të toneve të tij të ulëta dhe bashkuese gjatë krizave të viteve të fundit në marrëdhëniet dypalëshe. Mediat në Athinë shkruajnë se qëndrimi i Metës është në kuadër të luftës së brendshme të politikës në Tiranë dhe jo kundër një marrëveshjeje mes dy vendeve, të cilën Presidenti shqiptar e dëshiron më shumë se pothuajse kushdo në Tiranë.

Please follow and like us: