Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: 20 mijë familje pa ndihmë ekonomike dhe punë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i përgjigjet Kryeministrit Edi Rama, me një video, lidhur me përjashtimet nga skema e ndihmës ekonomike. Ai thotë se skamja në familjen Xhema në Berat, e përjashtuar nga ndihma ekonomike, është e vërteta që nxjerr Edi Ramën një mashtrues ordiner, kur thotë se ata nuk duan të punojnë.

Duke publikuar një video në Facebook, ai shprehet se kryefamiljari Artan Xhema, baba i katër fëmijëve, është përjashtuar nga ndihma ekonomike, sepse rezultoi i punësuar dy muaj më parë.

“E vërteta është se Artanit i kanë hequr bukën e fëmijëve, sepse ka punuar! Askush nuk e beson Edi Ramën se 20 mijë familje të përjashtuara nga ndihma zgjedhin 50 mijë lekë ndihmë në vend të punësimit dhe një rroge. E vërteta është se punë nuk ka, se në krye të qeverisë është punësuar një parazit që ka ndërtuar skemën më të madhe të mashtrimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”, shkruan Basha.

Ai shton se është detyra e të gjithëve që ta pushojnë nga puna njeriun që çdo ditë e më shumë po varfëron njerëzit dhe shkatërron jetët e tyre.

Ky reagim vjen pasi Kryeministri Edi Rama u ndal paraditen e sotme në një familje që përfiton ndihmën ekonomike, për shkak të vështirësive në të cilën ndodhen.

Ai deklaroi prerazi se nuk do të marrin ndihmë ekonomike ata persona që janë të aftë për punë dhe që e refuzojnë punën, ashtu sikundër premtoi se ata që janë hequr gabimisht, do të rikthehen.

“Thirrja që unë përsëris është nuk ka shans të marrin ndihmë ekonomike, nëse janë të aftë për punë dhe nëse u ofrohet punë, pastaj është punë e tyre,” deklaroi Rama.

Please follow and like us: