Policia zbulon vrasësit e biznesmenit tepelenas
Policia e Tiranës ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Memli Begalla, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 14 shkurtit në Tiranë, ku ka vënë në prang ekzekutorin e tij. “Si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur, ku u vra me armë zjarri shtetasi Memli Begalla, janë shtetasit Denis (Alban) Demiri, 43 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardian Serezi, 49 vjeç, banues në Tiranë”, bëri të ditur drejtori i policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj.
Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e Memli Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë.
Grupi i punës vijon me intensitet veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të.