Albspirit

Media/News/Publishing

“Meta nuk ka arsye pse mos japë autorizimin për plotfuqishmërinë”, analiza e Milos për detin

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ish ministri i jashtëm, Paskal Milo ka komentuar negociatat Shqipëri-Greqi si dhe përgjigjen e MEPJ se ky institucion i është përgjigjur të gjitha kërkesave të Presidentit të Republikës, Ilir Meta sa i takon plotfuqishmërisë për çeljen e negociatave me Greqinë për çështjen detare. Paskal Milo u shpreh se brenda 2-3 ditësh Meta mund të japë autorizimin për çeljen e negociatave dhe marrëveshjet mes dy vendeve janë arritur në parim.

“Meta nuk ka arsye pse mos japë autorizimin për plotfuqishmërinë në lidhje me negociatat me Greqinë. Ministria e Jashtme patjetër që duhet t’i ketë plotësuar kërkesat dhe mendoj se Meta brenda 2-3 ditësh do japë autorizimin për të nisur negociatat me palën greke. Dy ministrat e jashtëm kanë rënë dakord për të zgjidhur problemet që mund të kenë mbetur pezull dhe mendoj se ky sheshim i këtyre problemeve do bëhet kur të takohen dy kryeministrat në Korçë. Marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë arritur në parim dhe ekspertët do përcaktojnë koordinatat. Ekspertët e dinë se çfarë duan dhe mbetet vetëm të firmoset marrëveshja për detin”- tha Milo, raporton BalkanWeb.

Paskal Milo ka komentuar edhe deklaratën e Berishës jashtë Kuvendit për një nga negociatorët teksa tha se ato kanë qëllime politike.

“Unë nuk i marr me shumë seriozitet deklaratat që bëhen në oborrin e Kuvendit. Ato që janë thënë sot për grupin e negociatorëve kanë synime politike. Unë nuk e di informacionin që lëshoi Berisha për një nga negociatorët dhe ato janë me burime nga PD. Unë Mecollarin e njoh si një studiues në kanalin e Korfuzit. Ai është ushtarak i njohur dhe ka pasur role të larta komanduese dhe është një njohës i mirë i të drejtës ndërkombëtare detare. Mendoj se është pozitiv fakti që Mecollari është pjesë e negociatorëve”- tha Milo.

Ish ministri i jashtëm u shpreh ndër të tjera se çdo qeveri kërkon të privatizojë marrëveshjen dhe ta quaj si një rezultat pozitiv të vetën. Sipas tij, çështja çame është ‘patatja e nxehtë’ mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Çdo qeveri kërkon të privatizojë marrëveshjen dhe ta quajë një rezultat pozitiv për veten e vet dhe nuk ka transparencë për tu konsultuar me konkurrentin politik. Interesi polik i PD mendoj se është të kundërshtojë dhe shpesh interesi polik është më i madh se ai kombëtar. Kjo është një marrëveshje ku të gjithë duhet të jemi bashkë. Çështja Çame është patatja e nxehtë mes dy vendeve dhe mendoj se nuk ka për të arritur zgjidhje rreth kësaj çështje. Kërkesa e qeverisë shqiptare është që ajo të trajtohet të paktën në nivelin e të drejtave të njeriut dhe në këtë aspekt mendoj se mund të ketë ndonjë hap”- u shpreh Milo.

Please follow and like us: