Albspirit

Media/News/Publishing

Pa koment, letra e Sejfulla Malëshovës për Enver Hoxhën në 1961

SEKRETARIATIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

TIRANE

(Shokut Enver Hoxha)

Unë i nënshkruari Sejfulla Malëshova, magazinier në Fier, kam nderin t’ju parashtroj lutjen si më poshtë:

Jam 61 vjec, dhe sipas ligjës, kam të drejtë të dal në pension.

Po të punoj, me pension të plotë, marr dhe 2000 lekë përmbi rrogën. Jam në gjëndje të punoj dhe vetëm rroga e vogël më shtyn të kërkoj pension dhe kështu u hodha lutje dhe kërkova të më njiheshe koha kur kam punuar jashtë Shqipërisë, sikurese e parashikon edhe vetë ligja e pensioneve, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Fierit, duke përdorur të drejtën e tij, nuk ma njohu këtë kohë si vjetërsi pune, duke thënë se ”ka ndryshuar qëndrim politik”. Kjo do të thotë se qëndrimi im politik ka ndryshuar në parim: kam lëftuar dhe kam punuar për këtë republikë dhe për këtë parti një kohë, por tani nuk jam me këtë pushtet dhe me këtë parti.

Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam bërë shumë gabime, por për një gjë të cilën nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj kurrë, të tradhëtoj vëndin tim dhe partinë time. Kam dyzet vjet që punoj në këtë rrugë dhe ka ardhur koha që të bindet për këtë gjë edhe Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Fierit. Unë nuk kërkova pension patriotik apo pension për merita shërbimi, por pension pleqërie.

Në Bashkimin Sovjetik nuk kam punura vetëm si komunist shqiptar, por edhe si punonjës. Në Francë lashë punën dhe shkova, siç e di këtë shoku Enver Hoxha, në post të Sekretariatit të Internacionales Komuniste.

Partija jonë besoj se e njeh këtë punë si një punë që ka lidhje me të. Prandaj unë iu luta këtij sekretariati dhe personalisht shokut Enver, të paktën që të njihet koha kur unë kam qenë në Francë (1939-1941) dhe në Shqipëri përpara çlirimit (1943-1945), duke më dhënë një vërtetim për pjesëmarrjen time në luftën nacional-çlirimtare.

Kjo më mjafton për të marrë pension të plotë.

Me shpresë se kjo lutje e ime do të merret parasysh

Me respekt

Sejfulla Malëshova

Lagjia 18 Tetori, Barraka Nr.1

Fier.

SHENIMI NE LETREN E SEJFULLA MALESHOVES

Me porosi të shokut Enver, u njoftua sekretari i parë i K.P. shoku Pirro Gusho, ta thërrasin Sejfulla Malëshovën dhe ta njoftojnë se shoku Enver e mori letrën e tij, dhe për çështjen që ngre t’i drejtohet Kryeministrisë e do të shikohet në mënyrë të favorëshme për të.

30.8.1961

Merr pensionin në rregull.

Please follow and like us: