Ilir Çumani: Situata e jetimëve sot pas 10 vjetësh në vendin tonë
10 vjet më parë çështja e jetimëve në Shqipëri është trajtuar edhe në “Zërin e Amerikës”. Si është situata e jetimëve sot pas 10 vjetësh në vendin tonë…!?
Qeveria e Rilindjes e kryeministrit Edi Rama, e ka rrënuar edhe më shumë fatin tragjik të kësaj kategorie. Sot, jetimët e Shqipërisë janë të pashpresë, jashtë çdo politike mbrojtje sociale, janë të ekspozuar nga fenomenet e rriskut, të përbuzur, të diskriminuar, të përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, pasi qeveria aktuale ka marrë kohët e fundit një vendim absurd dhe kriminal që shkel hapur parimet më elementare të humanizmit. Ajo u hoqi bukën e gojës, lëmoshën tallëse prej 20 USD në muaj edhe jetimëve të cilët e kishin këtë ndihmë si të vetmin burim jetese.
Jetimët në Shqipëri (janë 31.000 të tillë sot), pas 27 vjetësh tranzicion, ata mbetën shtresa më e privuar, pjesa më e ekspozuar e një veprimi e sjelljeje kriminale nga politika, veçanërisht nga ajo forcë politike që proklamon dhe propagandon me demagogjinë e saj mbrojtjen e të varfërve, siç është PS.
Jetimët në Shqipëri janë të pastrehët e përjetshëm, të pa punët e përjetshëm, të privuar nga një arsimim i rregullt e normal, me probleme serioze për shëndetin. Politika shpesh i ka konsideruar dhe i ka cilësuar si pjesë i tepërt e shoqërisë, si pjesë bezdisëse për klasën luksokrate dhe të papërgjegjshme politike. Kjo klasë politike i urren në kulm të varfërit, jetimët në veçanti, sepse këto kategori janë pasqyra e vërtetë nga ku sundimtarët e pashpirtë shohin përditë fytyrën e vërtetë hipokrite, asociale, antihumane dhe të kriminalizuar të tyre, për gjithçka të keqe që kanë bërë dhe po bëjnë në dëm të të pamundurve.
Media (pjesa më e madhe e blerë nga qeveria e rilindjes) sot nuk ka as sy dhe as vesh të dëgjoj piskamën rrëqethëse e dramatike të kësaj shtrese të dobët të shoqërisë. Shoqëria në përgjithësi është e tulatur, e lodhur është indiferente, sindikatat dhe Shoqëria Civile lëpijnë herë pas here ndonjë kockë që u hedh pushteti në këmbim të heshtjes. E gjitha kjo që po ndodh ka vetëm një emër: genocid i pastër mbi qëniet e dobëta humane që buron nga Diktatura e Varfërisë.
Institucionet ndërkombëtare dhe prezenca e huaj në Shqipëri ose nuk kanë informacion për këtë situatë, ose janë të keqinformuar nga propaganda e shfrenuar e pushtetit aktual. Tashmë, çdo gjë tani ka mbetur në dorën e ZOTIT. Ju ambasadorë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, a po më lexoni përmes këtij APELI që kullon gjak nga dhimbja dhe mjerimi i të pamundurve të shtypur në mënyrë çnjerëzore nga një kastë e papërgjegjshme pushtetarësh luksokakratë e të pashpirtë….!?
24 Shkurt, 2018