Albspirit

Media/News/Publishing

Një milioner në krye të Prokurorisë së Tiranës

Kontrolli i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga elementet e Vetingut. Në fund të vitit që shkoi dosjet e verifikimit të ligjshmërisë së pasurive të prokurorëve dhe gjyqtarëve, janë marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Një ndër emrat që është i përfshirë në fazën e parë të Vetingut është edhe kreu i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka. Ky i fundit e ka ushtruar profesionin prokurorit që në vitin 2003. Pasuria tij, sipas formularit të deklarimit të pasurive buron kryesisht nga paga e tij dhe e bashkëshortes, kredia, qiratë etj.

Gjithnjë referuar formularit të deklarimit të pasurisë, siguruar nga CNA.al, vërehet se ka një shtim të gjendjes së llogarisë përgjatë vitit 2016 . Në total, pasuria e tij llogaritet në miliona.

Kështu, llogaria bankare e prokurorit Rreshka e çelur në vitin 2012, në vitin 2016 është shtuar llogaria, 164.312 lekë të reja. Ndër të tjera, ai ka deklaruar, gjendjen e llogarisë, obligacione me afat dyvjeçar, në shumën 2 000 000 lekë të reja, gjendje CASH, 200 000 lekë të reja. Sërish një tjetër gjendje llogarie 1.935.000 lekë, përfituar nga shitja e një apartamenti.

Gjithashtu ai ka deklaruar shitjen e apartamentit në Linzë në shumën, 6 9000 000 lekë të reja, të ardhura nga dhënia e ambienteve me qera 600 000 lekë të reja, të ardhura nga mësimdhënia, trajnime 200 000 lekë, të ardhura si ekspert në komisionin për reformën në drejtësi, 72 165 lekë të reja, të ardhura si interes nga investimi në obligacione, 238 000 lekë të reja, të ardhura nga shitja e pasurisë, 2 335 000 lekë të reja si dhe të ardhura nga paga si prokuror, në shumën 1 386 561 lekë të reja. Edhe bashkëshortja e tij e ka shtuar llogarinë bankare në vitin 2016 në shumën 190 000 lekë, ndërsa ka një pagë me vlerë 715 041 lekë.

Rreshka nga vitit 2003 – 2009 ka ushtruar funksionin e Prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në qershor të vitit 2009 është emëruar Drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, detyrë të cilën e ka kryer deri në muajin shkurt 2010.

Në muajin Mars 2010 është emëruar Drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, funksion të cilin e ka ushtruar deri në janar të vitit 2013.

Më 29 dhjetor 2017, Kryeprokurorja Arta Marku, emëroi Dritan Rreshkën, në krye të Prokurorisë së Tiranës me mandat të përkohshëm. /CNA.al