10,000 maqedonas protestojnë kundër ndryshimit të emrit
Rreth 10,000 persona kanë protestuar sot në Shkup, duke kundërshtuar ndryshimin e emrit, në kontestin që ka Maqedonia me Greqinë për këtë çështje.
Protestuesit kanë mbajtur flamuj dhe janë mbledhur afër statujës së Aleksandrit të Madh, duke brohoritur dhe thirur, “Ne jemi maqedonë”.
“Ne vetëm po mbrojmë emrin tonë. Ne jemi kundër ndryshimit të emrit, kaq. Askush nuk na e ka dhënë atë, askush nuk e ka krijuar atë. Ai emër duhet të jetë ashtu siç është”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, një protestues.
“Ne nuk i japim emrin tonë askujt. Ai është Maqedonia dhe ashtu do të mbetet gjithmonë”, ka thënë një tjetër protestues.
“Maqedonia është emër shumë i mirë, e kemi në zemër, ne e duam Maqedoninë, ne jemi maqedonë, ne e duam Maqedoninë, nuk do të dorëzohemi”.
Marshi është organizuar nga lëvizja, Emri Ynë është e Drejta Jonë.
Shkupi dhe Athina kanë rritur përpjekjet për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar, lidhur me emrin e Maqedonisë.
Mosmarrëveshjet kanë filluar më 1991, kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë.
Zyrtarët maqedonë kanë thënë se janë të gatshëm për bërë ndryshime në emër.
Disa nga propozimet kanë qenë shtimi i parashtesave, “E madhe”, “E re”, apo “Veriore” në emrin Maqedoni.
Marshe të ngjashme janë duke u mbajtur nga maqedonët edhe në qytete të tjera në botë, duke përfshirë Uashingtonin dhe qytetin australian, Sidnej.
Në anën tjetër grekët kundërshtojnë çdo përdorim të termit Maqedoni në emrin zyrtar të shtetit të tyre fqinj.
Më 4 shkurt, athinasit kanë mbajtur një protestë masive, duke kërkuar ruajtjen e këtij termi./REL/