Nëna, kryeshenjtorja e të gjitha besimeve
Suzana Tahiri
Pak më shumë se një shekull (1910) nis të kremtohet festa ndërkombëtare e nënës, si një ditë që i kushtohet tërësisht asaj në shenjë mirënjohje ndaj përkushtimit të saj.
Por festë nëne, motre dhe femre ka pasur edhe para këtij viti, sepse ajo ka qenë gjithmonë një krijesë krejt e veçantë, një shenjtore përmbi gjithë shenjtoret e tjera në të gjitha popujt, në krejt besimet, përfshi edhe ato pagane.
Festa e nënës nis shumë herët, madje më herët se Eva e “mëkatit” që i dha tjetër fymëmarrje jetës njerëzore dhe që përsëritet brez pas brezi dhe gjeneratë pas gjenerate.
Historia njerëzore shpesh s’është gjë tjetër veçse histori nënash dhe femrash që ishin dinjitoze edhe si bashkëshorte perandorësh e princërish, edhe si luftëtare, edhe si riprodhuese e jetës e deri si model thjeshtësie për qëniet e thjeshta humane.
Janë më qindra e me mijëra vargjet dhe fjalët për nënat, për femrat, jo thjesht numerikisht si gjysma e botës, por për peshën që ato zënë në çdo familje, në çdo shtet, në çdo kontinet.
Në këtë univers planetar nënash, femra shqiptare ka vendin vet të pazëvedësueshëm, të pangjashëm dhe gati hyjnor. Mbi të gjitha spikatin nënat e heronjve shqiptarë në të gjitha kohërat e deri në epopenë e UÇK-së, veçohet kryenëna e gjithë botës me gjak shqiptar, Nënë Tereza, simbol i cilësive më sipërore të femrës në botë.
Gëzuar festën nëna, motra, femra shqiptare!