Meçollari spiun apo hero? Reagon NATO: Ne nuk japim çertifikata sigurie
Artur Meçollari është sot emri më i përmendur në publik nga politika. Pasi u sulmua nga opozita, negociatori sot kishte mburojë qeveritare. Për mbi 2 orë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka ka folur në Komisionin e Sigurisë, duke deklaruar se Artur Meçollari do të jetë pjesë e grupit negociator me Greqinë dhe nuk ka asnjë arsye për ta përjashtuar. Ajo u përpoq ta vishte Meçollarin me heroizma duke thënë ia doli të mbrojë interesat e shtetit përballë Sali Berishës, në kohën kur ky i fundit ka qenë kryeministër.
Nga ana tjetër, ministrja tha se: edhe pse është pushuar nga puna padrejtësisht, Meçollarit nuk ia janë hequr për asnjë ditë certifikata e sigurisë. Por nga ana tjetër ajo përmendi edhe NATO-n, duke thënë shprehimisht: “Meçollari është i pajisur me certifikatën e sigurisë “Cosmic Top Secret” të nivelit NATO”. Këtë certifikatë e publikoi edhe në media.
Opozita në komision disa here deklaroi se Meçollari është larguar për spiunazh nga FA dhe për këtë ka edhe përgjime. Xhacka i mohoi duke thënë se Meçollari është i pastër dhe akuzat e tij janë thjesht për shkak se ka cënuar interesin personal të Berishës.
Në kulmin e diskutimeve mbi integritetin dhe pastërtinë e figurës, vjen edhe një reagim nga NATO.
Në komunikimin me email me zyrën për mediat pranë NATO-s, gazetarja Esiona Konomi e Report TV pyeti Aleancën nëse kishte dhënë ndonjë certifikatë sigurie për ushtarakun shqiptar Mecollari dhe ai ishte lëshuar “NATO Cosomos Top Secret” për të.
Mark Senders, një prej zëdhënësve të NATO-s, u përgjigj se ky institucion nuk jep certifikata sigurie, pasi ato i japin vetë autoritetet e vendeve anëtare.
“Është ekskluzive e autoriteteve kombëtare për të siguruar lëshime personale të sigurisë për qytetarët e tyre. Për këtë arsye unë do t’ju referohem autoriteteve shqiptare për ndonjë koment të mëtejshëm që ata mund të kenë për çështjen që keni ngritur”,-tha zëdhënësi i NATO-s.
Më poshtë dokumenti që publikoi Xhaçka dhe reagimi i zedhenesit te NATO-s