Imazhet e luftës në Kosovë që tmerruan perëndimorët
Kosova shënoi 18 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në ish Jugosllavi, e rrjedhimisht edhe 18 vjetorin e masakrave e torturave më të mëdha të fundshekullit XX.
Janë disa nga imazhet e mediave ndërkombëtare të kapura gjatë viteve ’98-’99, që tmerruan botën e civilizuar dhe ngelën dëshmi e përjetshme për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës.
Me rastin e këtij 18 vjetori, Klan Kosova ka takuar disa nga këto personazhe, imazhet e vuajtjeve të të cilëve po përçonin në botë fotografinë e vërtetë të Kosovës së asaj kohe.
Mustafa, i thyer në shpirt nga frika se i ishin vrarë fëmijët e tij, në Kukës ku ishte dëbuar nga Kosova, po i tregonte një gazetari të huaj dy foto të më të dashurve të tij. Fotografia që i bëri gazetari i huaj, preku gjithë botën. Për fat, fëmijët e Mustafës kishin arritur të shpëtonin dhe më vonë ai u bashkua me ta.
Fotografia e Lutës, është gjithashtu njëra ndër më prekëset të bëra në luftën e Kosovës. Ajo shihet teksa në kolonë duke ikuar nga forcat militare serbe, ushqen me gji vajzën e saj bebe.
Shala nuk e mban mend luftën ngase ishte shumë i vogël. Por, foto e tij në mes telave me gjëmba e shkrepur në Kukës, është shpallur në mesin e 50 fotove më të bukura në botë të realizuara në shekullin XX.