Albspirit

Media/News/Publishing

“Unë nuk jam një armë lufte”, tmerret e luftës së Kosovës nga Parisi në Bruksel

Arti dëshmon edhe një herë fuqinë e tij të pakufishme në shpërndarjen e mesazheve universale.

Nga bulevardi “Bonne Nouvelle” në Paris, në gjimnazet e Brukselit, shfaqja teatrale “Unë nuk jam një armë lufte”, ku interpreton aktorja shqiptare Anila Dervishi, merr përsipër edhe njëherë misionin për të përcjellë dëshmitë e grave, viktima të luftës në Kosovë. Përkujtimi i tmerrit të luftës, që në emër të spastrimit etnik, e vuajnë popujt e martirizuar, mbetet qëllimi kryesor i kësaj shfaqjeje. Teksti është përshtatur sipas librit “Ditari i një gruaje nga Kosova”, i Sevdije Ahmetit, autore dhe aktiviste shqiptare për të drejtat e njeriut, raporton ATSH. Një skenë minimaliste ku e bardha zë gjithë hapësirën, është përzgjedhja e skenaristit Zenel Laçi, si për të kundërpeshuar zymtësinë e tregimeve dhe tmerrit të dhunës. Densiteti i të gjithave është i tillë që spektatori ndjehet në mënyrë të pashmangshme i prekur. E shoqëruar nga Afrim Jahja (kitarist i grupit rrok belg, The Witness), aktorja Anila Dervishi mban mbi supe peshën e tekstit tronditës. Me një intensitet të lartë, Anila Dervishi krijon interpretimin e saj me tonalitetet e zërit, me vështrimin dhe flokët e “shpupurisura”, duke marrë përsipër të çliroj fjalën dhe dhimbjen e të gjitha grave. Shfaqja vjen aktuale edhe pse konflikti në Kosovë ka përfunduar një dekadë më parë. Në 2018, në Siri, në Jemen, në Birmani, në Etiopi civilët janë viktimat e para të konflikteve, dhe veçanërisht gratë. Shfaqja ka gjetur jehonë në mediat franceze dhe belge.

Please follow and like us: