Albspirit

Media/News/Publishing

Dhunohet brutalisht profesori shqiptar në Maqedoni

Branko Sinadinovski, themeluesi i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, është sulmuar brutalisht mesditën e djeshme duke përfunduar me fraktura në spital.  Sinadinoivski është goditur fizikisht nga dy persona të panjohur. Rasti është paraqitur në polici, e cila po heton dinamikën dhe motivet e ngjarjeve.

Ai është sulmuar në afërsi të banesës së tij në “Aerodrom” të Shkupit. Sinadinovski është profesor universitar. Ai u bë i njohur vite më parë për opinionin, pas deklarimit të prejardhjes së tij etnike dhe mbështetjes për krijimin e një Bashkësie Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni. Sinadinovski është me prejardhje nga Beliçica e Rekës së Epërme nga rajoni i Mavrovës në Maqedoni.

Në një intervistë për “Ina”, ai deklaroi se pavarësisht sulmit, nuk do të ndalet në misionin e tij kombëtar.

Sinadinovski: Unë nuk do të ndalem në misionin tim kombëtar. Ky është një mision që kërkon sakrificë, përkushtim dhe rrezik. Unë kam qenë i vetëdijshëm për këto pasoja, por nuk ndalemi në qëllimin tonë. Bashkësia fetare e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni është një realitet dhe shprehje e lirisë fetare dhe kombëtare. Është e drejtë hyjnore që nuk duhet ti pengojë askujt, por ja që jetojmë në një ambient të tillë të ndotur me elemente raciste dhe gjenocidale. Apeloj për përkrahje nga diaspora dhe ky apel është që të ngrisim Kishën ortodokse shqiptare në Shkup, sepse kjo do të jetë një simbol i rëndësishëm historik kombëtar. Deri tani nuk ka pasur asnjë përkrahje për këtë qëllim që kërkon përkrahje dhe fonde. Pra gjithsesi ne vazhdojmë, përkundër këtyre skenareve që synojmë eliminimin tim fizik dhe eliminimin e këtij misioni që e përmenda më lartë.

Please follow and like us: