Arnida Çapi: Në 8 Mars
Përse është 8 marsi? Sigurisht, jo një arsye për të dalë nga shtëpia për gosti dhe argëtim duke u marr leje burrave “se jemi vetëm gra”. As për të celebruar veten se je grua, jetën apo motivin e saj, sepse atë s’mund ta bësh nëse nuk ke ndërgjegjësimin për lirinë dhe atë çfarë je: Grua, njeri i barabartë në liri dhe të drejta. Sigurisht, grua nuk është as vetëm vetja, por dhe tjetri. Shoqëritë demokratike janë zhvilluar vetëm pasi kanë kuptuar që në qendër të sistemit janë të drejtat e njeriut dhe se që të respektohet kjo duhet të kuptohet se tjetri je ti.
Kjo ditë është caktuar nga lëvizjet aktive të grave, për gruan, si një ditë për të sensibilizuar në radhë të parë gruan dhe pastaj burrat, për të drejtat e gruas. 8 Marsi është një ditë globale, sepse kauza e kësaj dite është globale. Eshtë një ditë civilizimi, si ndërgjegjësim për të drejtat e grave, është ditë anti-seksizmi dhe anti-diskriminimi.
Në këtë frymë celebrohen arritjet e gruas për fitimin e të drejtave ndër vite dhe kudo në botë.
Si gjendje faktike dhe si status juridik në gëzimin e lirive dhe të drejtave, pyetja që duhet të lindë bashkë me ndërgjegjësimin tonë është: Si është gjendja e gruas në Shqipëri? A ka ajo të drejta të barabarta me burrin, në familje e deri në Parlament?
Të drejtat e gruas, për mendimin tim janë aspekti më i rëndësishëm i të drejtave të njeriut.
Nëse e krahasojmë me të drejtat e njerëzve me ngjyrë, aspekti i dallimit rracor ka bërë përparime më tepër se sa ai i dallimit gjinor në aspektin e të drejtave të barabarta. Treguesi për këtë është Presidenti i SHBA. Kjo pikërisht sepse gratë janë gjysma e botës, pra gjysma potenciale në rrezikimin e pushtetit dominues të burrave. Gratë nënshtrohen atëherë kur më shumë u ndihet rreziku dhe forca, atëherë kur burrat ndihen më shumë inferior, sepse është e bukur, apo ndoshta, sepse është e zonja, sepse është e zgjuar apo sepse është e talentuar.
Por kjo është e gabuar: Në radhë të parë, sepse gratë janë qenie njerëzore dhe gëzojnë natyralisht të drejta të barabarta, pavarsisht diferencave në ngjyrë, në pasione apo në gjini; pavarësisht se kujt i përket natyralisht pushteti dhe nuk i ka lindur si e drejtë burrave nga natyra për të vendosur për këtë.
Dhe sepse, së dyti, gratë janë një burim potencial njerëzor në çdo drejtim të jetës, në arte, në akademi, në profesione, biznese, në politikëbërje, në familje, dhe privimi i saj në cdo drejtim është një humbje e madhe e zhvillimit.
Bota do të ishte më e mirë nëse ky potencial do të zhvillohej i lirë, pa dhunë dhe nënshtrime, në mundësi të barabarta, dhe pa kushtëzime seksuale.
Së fundi, në eventin ku pasqyrohet në nivelet më të larta koherenca artistike, në ndarjen e cmimeve Oskar, bashkë me të u përqafua më në fund koherenca sociale e shoqërisë perëndimore e cila ngriti kauzën e të drejtave të gruas. “Me too”, ishte mesazhi sensibilizues për forcën e gruas për të reaguar ndaj cdo forme të dhunës, të cënimit dhe mohimit të të drejtave të barabarta të tyre dhe për tu bashkuar në këtë luftë.
Mos mendoni se ne jemi një vend i vogël dhe shumë më i varfër për të mos ju bashkuar kësaj koherence. Ne jetojmë në një botë globale, dhe cështja e gruas, e të drejtave dhe forcës së saj duhet të shihet në mënyrë globale. Në fakt, gjithmonë kanë qenë gratë ato që kanë emancipuar botën në një formë apo tjetrën: “Nga gratë”, ose “për grate”.
Në 8 Mars, dua t’i bashkohem festës së gruas me Arsye, me kuptimin e saj, për Sensibilizimin e shoqërisë për të drejtat e gruas si të drejta shoqërore dhe si të tilla, duhet të shtrohen si çështje aktuale nga e gjithë shoqëria.
Me Ndërgjegjësimin për kërkimin e tyre. Së pari, JO DHUNES dhe moslejimi i asnjë forme të saj kudo dhe ndaj cdo gruaje.
Të kuptojmë se gruaja nuk duhet ti nënështrohet burrit, sepse asnjë qenie nuk është superiore ndaj tjetrës. Jemi të ndryshëm, por me të drejta të barabarta.
Të bashkohemi me Forcë Aktive, të gjithë, për mbështetjen e gruas që nga pengimi i dhunës, te mundësitë e barabarta në edukim, në punë, dhe përfaqësimin real të saj, domethënë të gjëndjes së saj në Parlament.
Çdo 8 mars gratë duhet të jenë krenare për forcën brënda tyre, dhe forcë do të thotë reagim dhe veprim ndaj gjëndjes së gruas në Shqipëri.
Çdo 8 mars gratë dhe burrat duhet të jenë krenarë dhe të festojnë së bashku për forcën humane e cila bëhet bashkë gjithmonë e më shumë si sensibilizim dhe mbështetje për të drejtat e gruas në Shqipëri.
Të dashura gra, këtë 8 Mars, mos festoni vrasjen e grave nga burrat e tyre; mos festoni dhunën e nënshtrimin e grave. Sepse kjo është ajo çfarë gratë shqiptare kanë pranuar në heshtje në vite, për veten dhe për gruan.
Këtë 8 Mars, para se të ngrejmë gostitë, të mbajmë 2 minuta heshtje për gratë që janë vrarë. T’i nderojmë për forcën e tyre për mos të pranuar nënshtrimin ndaj burrave kriminelë. Dhe të mendojmë si të jemi bashkë në luftën për gruan.