Partizani shkarkon Sulejman Starovën
Barazimi 1-1 i Partizanit kundër Teutës nuk është pritur mirë nga drejtuesit e Partizanit. Sot, ka ardhur dhe shkarkimi i trajnerit të të kuqve, Sulejman Starovës. Lajmi është bërë i ditur nga klubi i kuq, i cili përmes një njoftimi në kanalin zyrtar në facebook lajmëron largimin e teknikut të njohur. Sakaq bëhet e ditur që vendin e 61-vjeçarit do ta zërë Klevis Dalipi, ndihmësi i “Bobit” përgjatë gjithë kësaj kohe.
Njoftimi i klubit të PARTIZANIT:
Pas barazimit 1 – 1 të arritur në Durrës ndaj Teutës bordi drejtues i klubit zhvilloj mbrëmjen e së dielës një mbledhje urgjente. Duke analizuar situatën aktuale dhe objektivat që ekipi synon për pjesën e mbetur të sezonit, drejtuesit e klubit kanë kërkuar dorëheqjen e Sulejman Starovës nga drejtimi i ekipit, vendim i cili është pranuar edhe nga traineri Starova. Në vijim të sezonit futbollistik drejtimin e skuadrës do ta marrë Klevis Dalipi. Një ndryshim i tillë është konsideruar i domosdoshëm nga drejtuesit në kuadër të strategjisë së rinovimit dhe për ti dhënë një impuls pozitiv lojës dhe rezultateve të skuadrës. Klubi falenderon trainerin Sulejman Starova për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në klub dhe në drejtimin e skuadrës. /newsport.al