Albspirit

Media/News/Publishing

Arshi Pipa: Si u zhduk At Gjergj Fishta në diktaturë?

Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë si kryearmikun e vet. E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit.

Kur Kostallari flet për njësimin e gjuhës shqipe, ajo çfarë ai realisht kupton me njësim, është asimilimi prej ShNjL i leksikut dhe frazeologjisë gege. Një hulumtim i Fjalorit të 1980-ës tregon se kështu është në të vërtetë.

Në parathënien për Fjalorin, Kostallari e përcakton si “fjalor i ri shpjegues, sa më normativ, me një fjalës më të gjerë e më sistemor, me frazeologji më të pasur dhe me kërkesa ideoshkencore më të larta”(v).

Le ta shqyrtojmë këtë përcaktim: Fjalori është vërtet shpjegues, në kuptimin se ai rreshton kuptimet e ndryshme të çdo fjale dhe ilustron çdo kuptim me shembuj. Modeli i kësaj procedure, mund të gjendet te fjalori i Kristoforidhit, megjithëse një numër shpjegimesh te Kristoforidhi, janë dhënë në greqisht. Model më i plotë, është rasti i fjalorit të Cipos, i cili qe i pari fjalor që përcaktonte të gjithë kuptimet me shqipen. Por fjalori i Kostallarit, është edhe më përfshirës e i hollësishëm. Një shembull: përgjigjem ka 3 kuptime që ilustrohen me 4 shembuj te fjalori i Cipos, por 8 kuptime që ilustrohen me 27 shembuj (plus dy fraza idiomatike) te fjalori i Kostallarit. Prej këtyre shembujve 6 kanë stampë ideologjike: “ne i përgjigjemi thirrjes së Partisë”, “rinia iu përgjigj me luftë trup me trup”, “ata iu përgjigjën sulmit (zjarrit)”, “ata iu përgjigjen dhunës me dhunë”, “një letërsi (art) që duhet t’i përgjigjet jetës sonë socialiste”, “jam i përgjegjshëm ndaj masave”. Asnjëri prej të katër rasteve të Cipos, nuk motivohet ideologjikisht, madje i fundit është një përcaktim gjuhësor: “ë-ja toske i përgjigjet â-së nazale gege”. Fjala ilustron çfarë Kostallari kupton me “kërkesë më e lartë ideo-shkencore”. Për këtë të fundit ne do të kemi edhe më shumë për të folur. Sa i përket thënies së Kostallarit, se ky fjalor “ka një fjalës (leksik) më të gjerë e më sistemor, një frazeologji më të pasur”, s’na mbetet tjetër veç të jemi dakord, e komenti im kishte për të qenë “një frazeologji shumë e pasur”. Dëshiroj gjithashtu të përdor një superlativ në lidhje me thënien “sa më normativ”, bile do të thoja se normativiteti në këtë fjalor ka shkuar aq larg, sa ai mund të quhej Fjalor Normativ i Shqipes. Italishtja, gjuhë me histori mijëvjeçare, bujarisht i pranon variantet. Duke i hedhur një sy rastësisht shkrojave C e D në Fjalorin autoritar të Gjuhës Italiane me autorë G. Devoto-n e G.C.Oli-n, unë gjej comecché dhe come che (ndonse), colletteria dhe collettoria, cominciare dhe incominciare (me fillue), dapresso dhe da presso (prej afër), demonio dhe dimonio (demon), domani dhe dimani (nesër) 14). Te Fjalori i Kostallarit, variantet janë tepër të rrallë. Ai e donte ushtrinë e tij prej 41 000 fjalësh, të mbajtur nën disiplinë ushtarake. I Cipos i ka të dyja format si sulmues, ashtu dhe sulmonjës. I Kostallarit, ka vetëm të parën. Por mund të gjesh edhe punues dhe punonjës. Si duhet ta marrim këtë mospërputhje? Parathënia nuk e shpjegon fare. Për këtë le t’i kthehemi parathënies së Kostallarit te Fjalori drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe, ku rreshton parimet e ndjekura prej reformës drejtshkrimore: “Pjesa më e madhe e fjalëve janë shkruar mbi bazën e parimit fonetik”(4). Shumë grafema i binden “parimit morfologjik”. Për disa fjalë me traditë të gjatë historike, zbatohet “parimi historiko-tradicional”. Disa fjalë të “hallakatura” me prejardhje të huaj, janë shkruar sipas “parimit etimologjik”. Por ka edhe raste “zgjidhjesh të veçanta” për një numër fjalësh të hueja(5). Asnjëri prej këtyre parimeve, nuk e shpjegon dualin anormal punues / punonjës. Një tjetër parim përtej pesë a gjashtë të përmendurve, punon fort: eklektizmi. Leximi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe m’i përforcon dyshimet: rregullat e tij përmbajnë kaq shumë përjashtime, sa s’e marr vesh, pse duheshin paraqitur si rregulla. Të krijohet përshtypja e një kryekomandanti, i cili e ka disiplinuar ngurtësisht ushtrinë e tij, por që nuk di si ta komandojë.

Klasa karshi kombit

Fjalori quhet Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, titull ky fort i pazakontë për një fjalor. Çfarë kuptimi ka fjala “i sotëm” edhe pse është theksuar kjo fjalë? Pasazhi i mëposhtëm u përgjigjet të dyja pyetjeve:
“Për të zgjedhur e për të shpjeguar fjalët, për të përcaktuar ndërtimin e tyre e trajtat përfaqësuese dhe për t’i vlerësuar ato nga pikëpamja e normës gjuhësore kombëtare në të gjithë rrafshet, ky fjalor është mbështetur kryesisht në lëndën gjuhësore të këtyre katër dhjetëvjeçarëve të fundit, në prirjet e zhvillimit të gjuhës letrare të kohës sonë. Por termi “gjuha e sotme shqipe”, nuk përfshin vetëm këtë periudhë. Ai ka caqe kohore më të gjera. Themelet e gjuhës së sotme letrare kombëtare, në tërë sistemin e saj, u hodhën që gjatë Rilindjes. Lënda kryesore për këto themele, ishte gjuha e gjallë e popullit, por në to u derdhën edhe vlerat më të mira të traditës shkrimore të shekujve të kaluar e të krijimeve të Rilindjes Kombëtare. Prandaj caqet historike të leksikut të gjuhës së sotme shqipe dhe të “Fjalorit” që po botojmë, përfshijnë periudhën që nga Rilindja e këtej, duke pasur parasysh se letërsia artistike e Rilindjes, publicistika e saj përparimtare, mendimi shkencor i asaj periudhe hyn si një trashëgim i shquar i së kaluarës në kulturën tonë kombëtare të sotme (VIII)”.

Duke thënë se “ky fjalor është mbështetur kryesisht në lëndën gjuhësore të këtyre katër dhjetëvjeçarëve të fundit”, është njëlloj si të thuash, se materiali gjuhësor është zhvilluar gjatë periudhës së Shqipërisë socialiste, pasi “katër dhjetëvjeçarët”, i përgjigjen një periudhe kohe që shtrihet prej vitit të themelimit të partisë (1941), deri më datën e botimit të fjalorit (1980). Cilësori “i sotëm” do të thotë se leksiku i rreshtuar në fjalor, është rezultat i një “përzgjedhje” ideologjike i tipit stalinist, meqë stalinizmi kishte qenë ideologjia e pandrrueshme për katër dhjetëvjeçarët në fjalë. “Shpjegimi” i fjalëve i përgjigjet të njëjtit kriter (sapo e vumë re se si funksiononte kjo në analizën tonë rreth fjalës “përgjigjem”). Por menjëherë pas shkrimit se “fjalori është mbështetur kryesisht (korsivi i shtuar, A.P.) në lëndën gjuhësore të katër dhjetëvjeçarëve”, Kostallari shton, se fjalori gjithashtu bazohet (termi i tij “bazament” është sinonim me “bazë”) mbi leksikun e periudhës së Rilindjes, i cili specifikohet si “gjuhë e gjallë e popullit”, plus (“shto”) krijimet leksikore të periudhës së vetë Rilindjes Kombëtare, plus “traditën leksikore të shekujve të kaluar”. Meqë përbërësi “kryesor” i fjalorit është leksiku i Shqipërisë Socialiste, i përplotësuar ky prej trashigimisë së periudhës populiste të Rilindjes, përfundimi është se fjalori është konceptuar si fjalor klasor e pastaj si fjalor kombëtar. Po ta marrim D si “fjalori” i ShNjL, S për përbërësen e tij “mbidialektore” socialiste, P për shtresë populiste të periudhës së Rilindjes dhe E për një shtresë më të hershme leksikore, formula e hartimit të këtij fjalori i bie të jetë: D = S + ( P + E), në të cilën S është e barabartë me të paktën një të tretën e D. Një fjalor, ku një e treta është produkt i Shqipërisë së sotme komuniste, s’mund të jetë tjetër veçse një fjalor klasor

Formula e ShNjL

S’do mend, se përzgjedhja është kriter themelor për hartimin e çfardo fjalori. Le të shohim se si e përcakton Kostallari: “Është pasur parasysh nëse fjala pasuron apo jo leksikut të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj., dhe nëse lidhet me shtresat leksikore, që rriten e zhvillohen apo me ato që rrëzohen e shuhen, ky është parimi themelor që ka udhëhequr zgjedhjen e fjalëve dhe të frezeologjisë”(ix). Kriteret realisht janë dy, pasurim dhe spastrim: pasurim i leksikut ekzistues në përgjithësi, me vemendje të veçantë te stili, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, spastrim i leksikut, kryesisht i fjalëve e shprehjeve që janë të papajtueshme me ideologjinë e një lloji, kriter klasor ky. Kostallari e konsideron gjuhën dukuri klasore. E shikuam se fjalori ishte “kryesisht i bazuar” në gjuhën e Shqipërisë socialiste. Po ashtu pamë se hapësira e zënë në diagramën e mësipërme prej leksikut “mbidialektor”, është pothuajse e së njëjtës madhësi sa hapësira e “spastruar” (jo e vizatuar) e leksikut letrar toskë e gegë. Dy kriteret, të cilët janë të gërshetuar kaq ngushtë njëri me tjetrin, sa vetë veprimet e zbrazjes e mbushjes, veprojnë përkatësisht si pompë uji, si kanal kullimi. Rezultati i një politike të tillë gjuhësore, është i parashikueshëm, po të kemi parasysh se mendimi kushtëzohet prej gjuhës. Pas nja dy a tre brezash, nuk do të mbetet në këmbë fjalë që të mos jetë e përshtatshme me ideologjinë ekzistuese. Për rrjedhojë, njerëzit nuk do të jenë më në gjendje ta mendojnë kundërshtimin – prite Zot, dëmtimin e partisë dhe të shtetit. Fjalë të tilla si “disident”, “rebelim”, “demokraci”, mund të zhduken prej fjalorëve dhe konformizmi do të mbërrinte pikën e vet të ngopjes. E nëse toskërishtja letrare do të jetë pjesërisht e kuptueshme, për shkak të strukturës së ShNjL bazalisht toske, gegërishtja letrare, do të katandiset diçka si Old English (anglishtja e moçme), pra një relike e pakuptueshme gjuhësore.

“Spastrimi” i Fishtës

Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar më vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, Te ura …, pa qenë në gjendje për të vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi është në vargje, e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar “Marash Uci”. Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 – 52:

Por shka, Zot, ka Mashi sot,
Qi na â vrâ e nuk bân zâ?

Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL dhe fillon të kërkojë për â. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i âsht) ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? – pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut, duket se tregon në atë drejtim. Sepse, ndonëse nuk është gegë, djali i bie lehtësisht në të se nuk bân zâ është e njëjta me nuk bën zë. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë se ka vdekur. Por ai do për t’u siguruar dhe prapë hap fjalorin e ShNjL. Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të zë. Nuk gjen asgjë. Nuk ka fat më të mirë sa kërkimi te seksioni frazeologjik i bëj. Kostallari nuk e ka futur idiomën, e cila është gege tipike. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk ekziston në toskërisht, por vetë toskizimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm. Libri s’e paska shënuar idiomën. Duhet të ketë ndonjë problem këtu, – thotë djali. Dhe kështu ai e ndërpret leximin e poemës.

Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet biseda e mëposhtme:
– Kam gjetur dje një libër të hollë, të ngrënë mole, i shkruar nga njëfarë Gjergj Fishta…
– Oh, mos! E gjete apo ta dha njeri?
– E gjeta kur po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.
– More vesh gjë kur e lexoje?
– Ca po, e ca jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.
– Shkrimtari ka qenë prift.
– E, po, ja përse nuk i merrja vesh shumë fjalë. Priftërinjtë duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod sekret. Se ku kam lexuar, që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër Partisë.
– Kjo është arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e tyre.
– E drejtë. Ato nuk shkruheshin për popullin, por për priftërinjtë dhe pasuesit e tyre. Atë libër do ta fus në stufë.
– Më mirë ma jep mua. E rregulloj unë.

Padyshim, lexuesi duhet ta ketë marrë vesh, se Fishta është me gjithë zemër i neverituri i stalinizmit shqiptar. Mund të pyetet me të drejtë se pse. Fishta konsiderohet “armik i popullit”, para së gjithash, sepse kryevepra e tij poetike, Lahuta e Malcís, është idhtësisht antijugosllave. Veçanërisht për këtë arsye, ai u nxor jashtë prej letërsisë shqiptare, si dhe prej shkollave shqipe që me ardhjen e pushtetit stalinist. Ishin ditët kur PKSH, faktikisht, ishte shtojcë e PKJ, më saktë e degës serbe të saj. Ishte koha kur nëpër rrugë brohoritej “Enver-Tito”, e ky çift emrash shkruhej me të mëdha nëpër mure e banderola.15) Nënshtrimi i PKSH ndaj Partisë Komuniste Serbe, ishte i tillë saqë shtypi shqiptar kopjonte mënyrën serbe të të shkruarit të emrave të huaj gjeografikë e të përveçëm. Ai i shtypte, jo si shkruheshin në vendet e veta të prejardhjes (sikurse ishte praktika në Shqipërinë parasocialiste), por sipas mënyrës që i shqiptonin serbët, kur i shkruanin me shkroja cirilice. Ky zakon, i filluar në Rusi shumë përpara se të vinte komunizmi, arsyetohej me vështirësinë e përdorimit të shkrimit cirilic rus në dhënien e tingujve latinë, grekë e arabë. Meqë Shqipëria zgjodhi alfabetin latin, pozita e saj në ketë pikëpamje, është e njëjtë me vendet e tjera të Lindjes Komuniste, si Polonia, Çekosllovakia e Hungaria, të cilat gjithashtu kanë në përdorim shkrimin latin. Por ndërsa këta vende vazhduan të shkruanin emrat gjeografikë si dhe të përveçmit, ashtu siç shkruhen në vendet e prejardhjes, udhëheqja komuniste zgjodhi mënyrën serbe (dhe ruse) të të shkruamit të tyre. Kështu, Chateaubriand shkruhet “Shatobrian”, Chigi “Kigji”, Shakespeare’s Julius Ceasar Jul Cezari i Shekspirit speare (heshtë) bëhet “shpirt”, meqë ra fjala “në njerën dorë pushkën dhe në tjetrën librin”, është parullë e mirënjohur stalinisto-shqiptare, por edhe italo-fashiste.

Po le të kthehemi prapë te Fishta. Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij Titistët, janë të krahasueshme – duke lënë mënjanë poezinë – me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te Lahuta e Malcís), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e Posta e Shqypnís, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë16). Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhëtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçenc Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkëv i Durrësit, vdiq në burg) 17). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë, është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh. Në këtë pikë, lexuesi duhet të informohet se (para se vendi të shpallej si vendi i parë ateist i botës), shqiptarët praktikonin katër lloj besimesh: islamin sunit, bektashizmin shiit, ortodoksinë e katolicizmin. Për shkak të qëndresës së tyre ndaj propagandës ateiste dhe presionit, katolikët e kanë vuajtur më tepër përndjekjen fetare. Dhe meqë ata banojnë vetëm në Shqipërinë e Veriut, regjimi ka qenë i prirur të identifikojë ketë pjesë të vendit me katolicizmin. Por Fishta është brohoritë si poet kombëtar, jo vetëm prej shqiptarëve veriorë. Ai ishte sigurisht personaliteti katolik më i shquar i Shqipërisë parasocialiste. Fishta u bë gogoli i socializmit shqiptar, për shkak të staturës së tij dhe statusit si ideolog përfaqësues i katolicizmit shqiptar.

Spastrim edhe në fushën e leksikut

Megjithatë, ajo që të bë përshtypje në rastin e Fishtës, është se ai është “spastruar” jo vetëm prej fushës së letërsisë, por edhe prej asaj të leksikut. Dihet se Fishta ka leksik të pasur poetik. Max Lambertz-i, cili e ka përkthyer Lahutën e Malcís në gjermanisht, futi në Albanisch – Deutsches Wörterbuch (Fjalor shqip – gjermanisht) fjalë si me dheskë ‘locken’ (me joshë, me ndjellë), dumbare ‘doppellaüfiger Revolver’ (revolver vetëmbushës), grrêç ‘Kurbisflasche’ (susak uji), me kandritë ‘ausstaffieren’ (me pajisë), kryqalí ‘Christ’(i krishterë), latrâc ‘Viebauch’ (mullëz, lukth bagëtie), me leçitë ‘ankündigen’ (me kumtue, me bë të ditur), mêc ‘Bursche’ (djalë), shkallme ‘Schwert’ (pallë, shpatë), shkinë ‘Slavin’ (grua sllave), shkjení ‘Slavenland’ (popullsia e sllavëve të jugut, kryesisht serbë e malazezë), shmrijak ‘Almhirte’ (bari kullotash alpine), vithna, shumës i vath ‘Hürde’. Asnjëra prej këtyre fjalëve, nuk gjindet në fjalorin e Kostallarit. Por një fjalë e tillë si me dheskë “e pasuron leksikun ekzistues”, sepse, me sa di unë, nuk ka në shqip një fjalë tjetër që t’i përgjigjet fjalës anglisht ‘to lure’. Kurse një fjalë si me kandritë “e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse”, ngaqë fjala nuk ka një të barazvlefshme të vet të saktë në shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për me leçitë, grrêç, shmrijak, ku kjo e fundit është karakteristike për zakonin e malësorëve që shtegtojnë me bagëti, sipas stinës nga kullotat verore në ato dimërore. Së njëjtës emërtesë bariore i përket edhe fjala vithna, shumësi i vath. Kostallari regjistron vathë, por jo shumësin vithna, siç dëgjohet në Shqipërinë e Veriut. Ai parapëlqen shumësin vatha. Por kjo formë e shumësit, nuk del në asnjërin prej trembëdhjetë shembujve dhe frazave që ilustrojnë përdorimin e kësaj fjale. Prej nga vjen ky shumës vatha? Cipoja e ka vathë, vithna; po kështu edhe Lambertz-i; po kështu Kristoforidhi. Por ky i fundit regjistron edhe formën vatha të shumësit, e cila duket se është forma e gegërishtes qendrore. Kostallari ka zgjedhur këtë formë. Ngaqë tjetra qe përdorë prej Fishtës? Apo ngaqë kjo ishte një formë e gegërishtes së Veriut?

Raste të tjera “spastrimi”

Por rasti i Fishtës është vetëm ai që bie më tepër në sy, në trajtimin që i bën Fjalori i 1980 gegërishtes letrare të veriut. Nikollë Gazulli, një tjetër prift katolik, hartoi një Fjalor të Ri: Fjalë të rralla të përdoruna në Shqipninë e Veriut (1941) (19). Fjalori i Kostallarit, ndërsa përfshin një pjesë të madhe të leksikut të Gazullit, lë jashtë fjalë, të cilat janë tipike për kulturën materiale të Shqipërisë së Veriut. Kështu, psh, q½th, një dërrasë rrumbullake që përdoret për të pjekur bukë misri ose gruri në furrë (Zadrimë), tehak (por edhe qepç) vegël për latim guri (kulla e famshme e Shqipërisë së Veriut ose banesa e fortifikuar ndërtohet me gurë të latuar); shpardh, një lloj guri i grimcuar, kur bluhet dhe përzihet me gëlqere, jep një llaç të cilësisë së lartë ; tërrkaç, gërhanë për shprishje leshi; tymën, gjerm. Fadenkette. Por aty mungojnë edhe fjalë që “i sjellin ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar”, si psh, unt (gjithashtu ânge) (vendi ku pjesa e sipërme e shalëve takohen me trupin, ose balli i vetes, ndër vete). Herdhe e dhënë prej Kostallarit, do të thonë bole, koqe. Por mungojnë edhe fjalë që “ndihmojnë për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe” si, psh, trevë (direk anije). Fjala direk është turqisht, e, megjithatë, del në fjalor. Autorët e Fjalorit të ShNjL, nuk janë konsekuentë në zbatimin e kritereve të veta. Ata diskriminojnë leksikun e shqipes së veriut, e ky diskriminim vepron kundër interesave të pasurisë leksikore të kombit.

Edhe shembuj të tjerë mund të sillen që mbështetin këtë konstatim. Dranja e Martin Camajt, një kryevepër e letërsisë shqipe, përmban mjaft fjalë të rralla, prej të cilave një numër shumë i vogël, nuk gjenden në fjalorët shqip ekzistues, përfshirë këtu edhe fjalorin e Gazullit, me fjalë prej Shqipërisë së Veriut. Këto fjalë duhet të jenë nëndialektore, ngushtësisht të zonës së Dukagjinit, ku Camaj pati lindur. Por shumë prej këtyre fjalëve e pasurojnë edhe më leksikun kombëtar, përderisa këtij të fundit i mungon fjala që tregon se çfarë po bëjnë ata, ose “zgjeron larminë e mjeteve të tij [të leksikut letrar] stilistikore e shprehëse”, fjalë pa kurrfarë korresponduesje në leksikun tonë kombëtar, është fjala i lezëm (elegant, i hijshëm). Fjalë tjetër që e pasuron larminë stilistike të gjuhës, është fjala bujrí, e cila gjindet në një këngë të fëmijërisë: “Po bie borë – për malcorë. /Po bie shí – për bujrí”. Shqipja ka dy fjalë për të shënuar banorët e fshatit: G katundarí dhe T fshatarësí. Por asnjëra prej këtyre dy fjalë, nuk përmban në vetvete nuancën e fshatarit që jeton në fushë (për opozicion me ata që jetojnë në male), e që merren kryesisht me lëvrimin e tokës (për opozicion me barinjtë alpinë). Fjala bujrí, me gjasë, rrjedh nga fjala bujk. Te Dranja, sikurse edhe në vepra të tjera, Camaj heq një kufî të qartë mes fshatarësisë së fushës dhe asaj të malit. Por, meqë Dranja u botua më 1981, pra një vit pas Fjalorit, ky fjalor nuk pritet t’i përfshinte fjalët që sapo përmendëm. Por një numër veprash të Camajt, në prozë e në poezi, e që përdornin, pak a shumë, të njejtën gjuhë si te Dranja, kanë parë dritën e botimin edhe para daljes së fjalorit në fjalë. A kanë përfshirë autorët e tij diçka nga leksiku i Camajt? Jo, ata nuk e kanë përfshirë, sepse Camaj qe ndaluar për arsye politike, sikurse edhe Fishta (ai kishte mbaruar seminarin Jezuit të Shkodrës) dhe, për pasojë, konsiderohej çfarë Ismail Kadare quan “gjuhë e Krishtit” në romanin e vet Pashallëqet e mëdha.(20)

Le ta përsëritim vargun e kritereve të Kostallarit, që janë ndjekur në përzgjedhjen e materialit gjuhësor: “…nëse fjala i sjell apo jo ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj., dhe nëse lidhet me shtresat leksikore që rriten e zhvillohen, apo me ato që rrëgjohen e shuhen” (ix). Ta gjykosh nga sa kemi gjetur në fjalor, i bie të thuash se procesimi i “pasurimit” të leksikut (me neologjizma, fjalë të rralla dhe huazime nga gjuhët e tjera), shkon dorë për dorë me procesin e “spastrimit” prej “shtresash leksikore që rrëgjohen e shuhen”, dmth spastrim i asaj pjese që është e dënuar të vdesë. I tillë, në radhë të parë, është leksiku i “gjuhës së Krishtit”, leksiku i asaj krahine që mban vulën e fesë katolike. Me fjalë të tjera, procesi i spastrimit, ka motive të pastra ideologjike, duke qenë ideologjia në fjalë ajo e stalinizmit shqiptar. Çdo gjë që është kundër kësaj ideologjie, duhet të pushojë së qeni. Dhe, nëse ka ekzistuar në të kaluarën, ajo duhet të fshihet nga kujtesa, duhet të zhduket, të bëhet e paqenë. Mënyra më e shpejtë për të mbaruar ketë punë, është dëbimi prej fjalorësh i të gjitha fjalëve, që tregojnë koncepte fetare dhe praktika të së kaluarës, si dhe heshtje e plotë mbi emrat e atyre që qenë përfaqësuesit e ideologjisë fetare. Kështu shpjegohet, në analizë të fundit, pse Fishta u nxorr jashtë prej letërsisë shqipe dhe gjuha e tij u dëbua nga fjalori shqip. Kjo nuk e shpjegon, nga ana tjetër, se pse Naim Frashëri, ky përfaqësues shqiptar i fesë bektashiane, çohet në qiell edhe si poet i madh, por edhe si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar. Sipas opinionit të përgjithshëm, i të huajve e i vendasve, at Fishta është edhe ai poet i madh dhe figurë përfaqësuese e nacionalizmit shqiptar. Atëherë pse i thuhet “po” Naimit dhe “jo” Fishtës? Se Naimi është mysliman, kurse Fishta katolik? Shumë i respektuar është edhe peshkopi Noli, një shkrimtar i klasit të parë dhe përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, si edhe dinjitari më i lartë i Kishës Ortodokse Shqiptare. Trioja Frashëri, Noli, Fishta qe brohoritur si një triní e shenjtë e gjenisë shqiptare tripartish në kohën para ardhjes së stalinizmit. Tani trioja është katandisur në duet. Arsyeja themelore pse Fishta u la jashtë, del në pah fare lehtë, meqë arsyetimi merr formën e një entimeme (te Aristoteli enthymema):
Stalinizmi shqiptar, është një dukuri dërrmuese toske dhe toskët janë edhe myslimanë edhe ortodoksë.
Fishta nuk është toskë, por as mysliman, as ortodoks. Ai është katolik edhe gegë.
Katolicizmi është një dukuri e kulluar gege.
Stalinizmi e konsideron katolicizmin gegë, si kryearmikun e vet.
Fishta ndalohet, sepse është përfaqësuesi kryesor i katolicizmit.

Spastrim dhe për Malëshovën…

Por procesi i “spastrimit”, nuk ka qenë i kufizuar vetëm te shkrimtarët gegë katolikë, të konsideruar si armiq të popullit. Të njëjtin fat pësuan dhe disidentët partiakë, të cilët vunë në dyshim vlefshmërinë e politikës staliniste, të zbatuar në gjuhë, letërsi dhe arte. Më i shquari ndër ta është Sejfulla Malëshova, një toskë mysliman. Ai kishte qenë sekretar i Nolit gjatë periudhës së shkurtër kur peshkopi ishte kryeministër i Shqipërisë në qeverinë revolucionare (1924). Më vonë ai iku në Moskë, ku thuhet se punoi për Kominternin dhe dha mësime marksizmi. Më 1943, u kthye në Shqipëri dhe u bë anëtar i byrosë politike. Për shkak të prirjeve të tij të moderuara, shpejt u ndesh me pjesën konservatore të partisë, të përfaqësuar prej Hoxhës e Xoxes. Si ministër kulture në qeverinë e parë komuniste të Shqipërisë, ai kundërshtoi prirjen për eliminimin prej letërsisë shqipe të Fishtës, Konicës dhe shkrimtarëve të tjerë madhorë. Menjëherë, ai u përjashtua nga byroja politike dhe, më vonë, edhe nga partia, duke përfunduar kështu një person krejt të parëndësishëm. Për atë kohë Malëshova ishte i vetmi intelektual shqiptar, që njihte mirë teorinë marksiste dhe praktikën staliniste. Nën pseudonimin Lame Kodra, ai kishte shkruar edhe disa poema, të cilat qenë botuar më 1945 me titullin Vjersha. Ky libër i hollë përfshin përkthimin e tij në shqip të Internacionales, e cila u adoptua prej partisë. Malëshova nuk është ndonjë poet madhor, por është njohës i mirë i gjuhës. I hodha një sy këtij libri, për të parë nëse gjuha e këtij poeti – i vetmi poet marksist, për të cilin Shqipëria mund të mburrej gjatë viteve të parë të periudhës socialiste – pësoi të njëjtin fat me poetët disidentë, të cilët, të rënë në fatkeqësi, u përjashtuan prej letërsisë shqipe të realizmit socialist. Në njerën prej poemave të tij, ai përdor një fjalë gege debojë (arsenal), fjalë që nuk është e përfshirë në Fjalorin e ShNjL. Në përkthimin e tij të Goethe-s “Mbreti i Tulës”, Malëshova e përkthen fjalën gjermanisht Zecher ‘amator pije” me bekrí, fjalë turke kjo, e pabarazvlefshme në shqip. Fjalori i Kostallarit, është i mbushur plot me fjalë prej turqishtes, shumica e tyre të pabarazvlefshme në shqip. Por fjala bekrí nuk del në të.

(Marre nga A. PIPA: “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, botuar në “Columbia University Press” me 1990)

Please follow and like us: