Auron Tare: “Podcasti i Kryeministrit, midis Realitetit dhe Propagandës”
Nuk e dëgjoj podkastin e Kryeministrit. As nuk më ka munduar ndonjëherë pyetja e madhe filozofike nëse një kryeministër duhet të qeverisë nëpërmjet një podkasti apo jo.
Prandaj, kur një mik më dërgoi një fragment nga podkasti i fundit i Kryeministrit tonë, nuk ndjeva asnjë tundim ta hapja. Por miku nguli këmbë. Kështu që, e hapa dhe e dëgjova.
Fragmenti ishte i shkurtër. Mjaftoi, megjithatë, për të më lënë një habi të vogël. Kryeministri u shpjegonte shqiptarëve që protestojnë, pra edhe mua, se ruajtja e zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore qenka lajtmotivi i qeverisë së tij dhe se ata që kritikojnë këtë politikë duhet të kenë kujdes, sepse rrezikojnë të bëhen “instrumente në duart e interesave të tjera”.
Këtu u ndala.
Kam më shumë se tridhjetë vjet që merrem me trashëgiminë kulturore shqiptare. Kam pasur fatin të punoj në Butrint me disa nga mendjet më të ndritura të arkeologjisë britanike. Kam bashkëpunuar me gazetarë të nivelit të lartë ndërkombëtar në kohë të errta për Shqipërinë dhe Kosovën.
Kam dhënë tetëmbëdhjetë vjet nga jeta ime, pa pagesë, për kërkimet arkeologjike nënujore me një prej ekipeve më të mira amerikane.
Kam shërbyer në UNESCO dhe kam marrë pjesë në misione që nga Afrika deri në Amerikën e Jugut.
Në gjithë këto vite kam menduar se po shërbeja për Shqipërinë. Familja dhe shkolla me edukuan me këtë ide. Por tani, pas kaq dekadash, më del se mund të kem qenë i gabuar.
Sipas logjikës së re politike, njeriu mund të kalojë një jetë të tërë duke mbrojtur monumente, qytete historike, peizazhe kulturore dhe pasuri kombëtare, por një mëngjes të zgjohet dhe të mësojë se paska qenë vegël e interesave të padukshme.
Kjo është një arritje e rëndësishme e mendimit bashkëkohor shqiptar. Të gjithë ne që kemi humbur vite duke besuar se mbronim Shqipërinë, paskemi nevojë për një shpjegim më të qartë se interesat e kujt kemi mbrojtur në të vërtetë.
Kur luftonim për Butrintin, interesat e kujt mbronim?
Kur krijohej Parku Kombëtar i Butrintit, për kë punonim?
Kur kërkimet arkeologjike nënujore e vendosnin Shqipërinë në hartën botërore të kësaj disipline, kujt po i shërbenim?
Kur ekipi ku bëja pjesë solli prova që rrëzonin një padrejtësi historike ndaj Shqipërisë në çështjen e Kanalit të Korfuzit, në interes të kujt ishte ai mund?
Do të isha mirënjohës po të më sqarohej.
I menduar nga kjo dilemë e re kryeministrore, ktheva makinën nga rruga gjarpërueshe e Vjosës dhe hyra në Përmet.
Doja të bëja disa fotografi nga vepra e fundit e Qeverisë së Kryeministrit në dobi të trashëgimisë kulturore, zonave të mbrojtura dhe turizmit. Foto që flasin sado pak për realitetin i cili rri përkundruall propagandës së podcastit.
Ndalova makinën përballë një ndërtesë të re, Qendra e Informacioni Turistik. Një godinë e rëndë prej betoni, vendosur me një “elegancë të rrallë urbanistike” mu në oborrin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, vetëm pak hapa larg Gurit të Qytetit, simbolit natyror të Përmetit.
Përmeti, për dijeninë e lexuesit, është ndoshta qyteti i vetëm në Evropë që rrezikon të ketë më shumë qendra informacioni sesa turistë që kërkojnë informacion.
Ka një qendër informacioni në hyrje, një në dalje, një në qendër dhe nja dy të tjera përgjatë Vjosës ku te vetmit vizitorë janë gomerët e fshatit që kërkojnë hije. Por Qeveria e Kryeminstrit tonë, mendoi se qyteti nuk mund të jetonte edhe pa një tjetër Qendër Informacioni. E kjo e reja është rëndë e madhe dhe e vendosur jo do kudo, po në fund të qytetit dhe pikërisht në oborrin e shkollës, 5 metra nga Monumenti natyror i Gurit të Përmetit.
Kështu, fëmijëve iu mor një pjesë e hapësirës ku luanin, që të ndërtohej një godinë e kushtueshme, e cila sot rri bosh me një dinjitet monumental.
Në epokën kur çdo turist mban në xhep më shumë informacion sesa mund të mbajë një qendër turistike me dy kate, ne vazhdojmë të ndërtojmë godina për informacionin.
Dhe këtu më lind një pyetje e thjeshtë: Ata qytetarë të Përmetit që e shohin këtë ndërtesë dhe tundin kokën duke protestuar në heshtje interesat e kujt po mbrojnë?
Ka pyetur vallë Kryeminstri nëse në cilin vend të Afrikës, Ministrja e Arsimit ju mer fëmijëve oborrin e shkollës për të ndërtuar budallallëkun e rradhës?
Ata prindër që pyesin pse fëmijëve u është zvogëluar oborri i shkollës, në shërbim të kujt janë?
Po ata banorë që habiten se si ndërtohet pranë një zone të mbrojtur një objekt pa funksion të dukshëm, cilës fuqi të errët po i binden?
Ndoshta edhe ata janë instrumente. Ndoshta, por në Shqipërinë e sotme duket se qytetari që pyet është gjithmonë i dyshimtë, ndërsa ata që ngrejnë godina betoni pa arsye janë patriotë?
Gjithsesi kush lexon le të gjykojë midis realitetit dhe propagandës për të kuptuar se përse rinia ka mbushur bulevardin pikërisht për të ndryshuar këtë realit. Realitet i cili nuk fshihet dot më pas një Podcasti plot ngjyra.