Spartak Ngjela: Korrupsioni kryeministror shqiptar vijon agresivitetin e tij
Reforma në Drejtësi duhet të shpejtohet në ecurinë e saj; dhe politika amerikane duhet të fillojë denoncimin e fakteve realë, ashtu sikundër që bëri për aferën e Bashës me politikën ruse, se sot janë të bashkuar të dy krahët e korrupsionit. Por kanë frikë të dalin hapur. Pikërisht kjo frikë duhet të shfrytëzohet nga politika amerikane.
I.
Shikoheni gjetjen absurde por korruptive të Teatrit Kombëtar.
Zotërinj; Teatri Kombëtar si objekt i kulturës së lartë nacionale, është dhe duhet të jetë patjetër vepër e shqiptarëve dhe jo vepër apo prodhim i tregut.
Edi Rama kërkon ta krijojë Teatrin Kombëtar si prodhim tregu, bashkë me klientelën e tij dhe klientelën e Sali Berishës.
Jo, zotërinj, për ndërtimin e një vepre kombëtare të kulturës së lartë çdo kryeministër i drejtohet shoqërisë vet që të kontribojë në financimin e tij në një donacion mbarëkombëtar. Rruga e interesit tregtar është rrugë antikombëtare dhe nuk ka moral.
Këtu, në këtë proces do shkojë interesimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, sepse është vepër kombëtare . Kurse, kapitali i madh shqiptar, po të ketë ca pak ndjenjë kombëtare sigurisht që paguan pjesën më kryesore për ndërtimin e një vepre të kulturës kombëtare e cila duhet t’i rezistojë kohës deri dhe në një shekull e më tej.
Kjo është e vetmja rrugë që ndalon korrupsionin kryeministror.
Si mendon ky kryeministër i apasionuar kundrejt korrupsionit, një milionë shqiptarë që do të marrin pjesë si donatorë në një proces strikt ligjor, nuk mund të paguajnë dot 30 milionë apo 40 milionë Euro?
Sigurisht që po. E pra; vetëm kështu Teatri Kombëtar si godinë do të jetë një prodhim kombëtar dhe jo një prodhim tregu.
ll.
Për faktin që ndërkohë kanë filluar goditjet e para të korrupsionit shqiptar, vetë opinioni publik shqiptar, deri tani skeptik, ka filluar të lëvizë drejt optimizmit.
Por duhet ende dhe më shumë shpejtësi në veprime. Politika amerikane duhet të fillojë me presion kundrejt kryeministrit shqiptar që ligji për vetingun e politikanëve të hyjë në Parlament sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në të njëjtën kohë duhet që politika amerikane të ekspozojë të gjitha faktet që disponon kundrejt korrupsionit shtetëror të niveleve të larta, dhe duhet të inflyencojë kundrejt OMN-së që kjo të shpejtojë procesin e pastrimit të korrupsionit aktiv që është sot ende prezent në drejtësinë shqiptare, në mënyrë që të fillojë formulimi i kompozimit të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme, të cilat kushtetuta i ka ngarkuar me detyrën e veçantë të hetimit dhe gjykimit të nivelit të lartë të korrupsionit kryeministror në Shqipëri.
Goditja që u dha sot në Bashkinë e Lezhës ishte një lëvizje e thellë profesionale kundër krimit dhe korrupsionit, se shumë shpejt do të dalë që Lezha është realisht një gropë e qullët ky janë përzierë të gjitha palët.
Gjithsesi; shenjat janë që, këndej e mbrapa, do të kemi vazhdimisht goditje të reja.