Peter Lumaj: Administrata e Trump më ofroi postin e ambasadorit në Shqipëri
Shqiptaro-amerikani Peter Lumaj thotë se ka marrë një ofertë për të qenë ambasador i SHBA në Shqipëri.
Lumaj, kandidat republikan për guvernator, që shkoi në SHBA si refugjat nga Shqipëria komuniste para 30 vitesh, thotë se ka marrë një ofertë nga administrata e Trump për t’u kthyer në Shqipëri si ambasador.
Megjithatë ai thotë se e ka refuzuar këtë ofertë.
Duke folur përpara Komisionit Republikan në Uest Hartford, ai tha se “e refuzova ofertën pasi mendoj se mund t’i shërbej më mirë shtetit këtu ku jam”.
Ai nuk tha se kur i është bërë oferta nga administrata e Trump.
Lumaj është një avokat emigrantësh, i njohur për mbështetjen e tij ndaj Trump.
Për momentin, ambasadori amerikan në Shqipëri është Donald Lu. Atij i është pranuar zgjatja e mandatit, ndërkohë që Departamenti i Shtetit është akoma në turbullira për shkak të lëvizjeve në majën e piramidës.