PS merr Këshillin Bashkiak të Skraparit
LSI është në ditët e saj më të këqija. Hemoragjia që po pëson javët e fundit e ka bërë partinë që qëndroi 8 vite në pushtet më të dobët se kurrë. Këshilltarët bashkiakë të disa prej njësive administrative në vend duke filluar me Tiranën e vazhduar me Gjirokastrën, Fierin, Belshin Vlorën dhe së fundmi Skraparin, janë larguar nga LSI duke ju bërë thirrje edhe anëtarëve që të bashkohen me PS-në. Arsyeja është bashkëpunimi me PD-në e Bashës dhe pengimi që PD-LSI po i bën integrimit të vendit. Gjithashtu, theksohet se opozita e Kryemadhit është e padenjë.
Bashkia e fundit ku LSI ka falimentuar është Skrapari. 6 nga 10 këshilltarët e LSI në Çorovodë (Skrapar) kanë kaluar me PS-në. Bastioni i Metës ka rënë përfundimisht. Pas këtij largimi nga LSI, PS-ja tani kontrollon 9 nga 15 këshilltarët bashkiakë duke u bërë kështu mazhorancë e plotë.
Edhe 2 këshilltarët e PD dhe PR që akoma nuk janë rreshtuar formalisht me PS-në, në votimin e fundit kanë votuar njëlloj si PS duke e çuar kështu në 11 numrin e votive të socialistëve në këtë këshill bashkiak, nga 15 që janë gjithësej.
Kësilloj, kryetari Nesim Spahiu i LSI praktikisht është formalisht në krye të bashkisë.
Si për t’i vënë vulën nxerrjes së PD dhe LSI në opozitë, anëtarët e këshillit Bashkiak Çorovodë, dje në datë 19 mars 2018, ka shkarkuar kryetaren e Këshillit bashkiak të LSI, zonjën Mimoza Zylyftari duke votuar në vend të saj për socialistin zotin Partizan Gorçe, siç shihet edhe në dokumentin e siguruar nga lexo.al.
Deklarata e plotë e këshilltarëve të LSI që iu bashkuan PS-së:
Deklaratë për shtyp – Këshilltarët e LSI, Skrapar
Kur tre vjet më parë garuam nën siglën e LSI në njësinë administrative të Skraparit, ishim të bindur se bënim pjesë e një të majte të bashkuar dhe përparimtare, që do të afronte Shqipërinë me Europën përmes reformave thelbësore. Për fat të keq, zhvillimet e fundit politike tregojnë qartë se LSI është bërë bashkë me PD për të parë nga lindja, e jo më nga Perëndimi. Ne nuk jemi votuar nga qytetarët e Skraparit për të qenë vegla të interesave të huaja në vendin tonë. Të bëhesh sot bashkë me Lulzim Bashën, është njësoj sikur të ulesh në të njëjtën tryezë me ata që dëshirojnë një Shqipëri të përçarë, të prapambetur dhe larg Bashkimit Europian. Në të shkuarën, LSI si një forcë politike me fokus tek integrimi është përpjekur të shtyjë përpara reforma të përgjegjshme, me impakt pozitiv në jetën e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, sot projekti i vetëm i LSI është të rikthehet sërish në pushtet, e për të bërë këtë është e gatshme të përdorë të gjithë makinacionet e mundshme, duke u katandisur në një shtojcë të Partisë Demokratike dhe të interesave ruse në Ballkan. Opozita e LSI është një opozitë e bazuar mbi sharjet dhe çizmet, e që nuk ka asgjë të përbashkët me interesat thelbësorë të vendit. Sot, LSI është shndërruar në një faktor bllokues i reformave dhe ç’është më e keqja, edhe investimeve në të gjithë zonën e Skraparit. Për këtë arsye, duke pasur në zemër interesat më të mira të personave që i kemi shërbyer gjatë këtyre tre viteve dhe duke marrë parasysh se qytetarët nuk na votuan as për të sharë, as për t’u rrahur e as për të flakur çizme, deklarojmë largimin tonë përfundimtar nga radhët e LSI. Nga dita e sotme, ne i bashkohemi grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe e bëjmë këtë të vendosur për t’i shërbyer deri në fund transformimit të plotë të zonës së Skraparit, një zonë që i ka të gjitha mundësitë për të qenë e begatë, ashtu si bukuritë natyrore që na rrethojnë. Duke përfituar nga ky moment, i bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve të tjerë të LSI në të gjithë njësitë administrative të vendit të ndjekin shembullin tonë sepse partia e tyre nuk përfaqëson më interesat e shqiptarëve. Përkundrazi, sot opozita po i shërben interesave okulte, që nuk kanë asgjë të përbashkët me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Kushdo që ka sadopak ndërgjegje brenda vetes, nuk mund të pranojë të ndjekë këtë rrugë. Ne, nuk mund ta pranojmë këtë!