Bradt Travel Guides promovon Shqipërinë turistike
“Arkeologët dhe artdashësit, udhëtarët dhe historianët, shijuesit e verës dhe vëzhguesit e zogjve: të gjithë do të marrin me vete kujtime të pashlyeshme nga një udhëtim në Shqipëri”. Kështu e ka hapur artikullin e saj për Shqipërinë, Agjencia Britanike e Guidave të Turizmit, e cila e shikon vendin tonë si një destinacion të rëndësishëm për të bërë turizëm elitar.
Artikulli i plotë
Pothuaj çdo njeri mund të gjejë diçka nëse kalon pushimet në Shqipëri. Vendi ndodhet më pak se katër orë larg me aeroplan nga Mbretëria e Bashkuar; malet e larta sigurojnë një strehë të fundit në Europë për arinjtë, ujqërit dhe rrëqebullin Ballkanik; ndërsa vendndodhja e vendit në një nga rrugët kryesore të migracionit e bën vendin një “Mekë” për turistët, të cilët vijnë për të vëzhguar zogjtë. Kompleksiteti dhe pasuria e qendrave arkeologjike rivalizojnë Greqinë fqinje duke marrë një pjesë të turistëve. Qytetet antike, me shtëpitë e gurta dhe rrugët me kalldrëm, janë në listën e Qendrave të Trashëgimisë Kulture të UNESKO-s; kështjellat e saj mesjetare kanë çdo gjë të një kështjelle, vend-grumbullim për plehrat, cisternat e ujit dhe tunelet e fshehta. Ushqim shumë i mirë peshku dhe verëra lokale i japin kënaqësi atyre që janë të dhënë pas gastronomisë.
Muzeumet kombëtare ruajnë koleksione të pashoqe të sendeve të argjendta ilire, ikonave Bizantine dhe artit të Realizmit Socialist. Autoritetet kombëtare dhe lokale kanë filluar kohët e fundit të investojnë në ruajtjen e disa prej qendrave komuniste më të dallueshme dhe në kurimin e tyre, me qëllim që shqiptarët dhe vizitorët të mund të mësojnë për këtë periudhë të vështirë dhe të debatueshme. Tani ka tre qendra kryesore në Tiranë: Bunk’Art 1, Bunk’Art 2 dhe Shtëpia e Gjetheve, si dhe qendra e Dëshmitarëve dhe Kujtesës në Shkodër që mund t’i vizitoni për të mësuar më shumë për të kaluarën komuniste të Shqipërisë.
Kostumet tradicionale dhe sende shtëpiake mund të gjenden të ekspozuara jo vetëm në muzeumet etnografike, por edhe gjatë përdorimit të përditshëm në të gjithë vendin. Ndërkaq, kryeqyteti Tirana, është qytet modern dhe plot aktivitet, ku profesionistët e rinj pinë kafe apo koktejle në klube dhe bare moderne. Së fundi, sipërfaqet e gjera me rërë përgjatë bregdetit Adriatik, vendet e njohura të Jonit dhe resortet e Liqenit të Ohrit ofrojnë të gjitha aktivitet e plazhit. Arkeologët dhe artdashësit, udhëtarët dhe historianët, shijuesit e verës dhe vëzhguesit e zogjve: të gjithë do të marrin me vete kujtime të pashlyeshme nga një udhëtim në Shqipëri./ata/
https://www.bradtguides.com/destinations/europe/albania.html