SHBA, Bolton emërohet këshilltar i sigurisë kombëtare
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Twitter se ka zëvendësuar gjeneralin H.R. McMaster me ish ambasadorin e SHBA në OKB, John Bolton.
Presidenti shkruante në Twitter se Bolton do ta marrë zyrtarisht postin më 9 prill.
John Bolton ka qenë ambasador i SHBA në OKB, nga viti 2005 deri në 2006, i emëruar nga Presidenti George W. Bush dhe njihet si një diplomat i vijës së fortë. Ai është shprehur fuqimisht kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe ka shfaqur opinione po aq të forta lidhur me politikën ndaj Koresë së Veriut, duke u cilësuar si një “skifter” nga disa analistë. Në të kaluarën zoti Bolton është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. Largimi i gjeneralit McMaster nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare vjen në një kohë ndryshimesh të mëdha në ekipin e sigurisë së Presidentit Trump. Vetëm para rreth një jave, Presidenti Trump shkarkoi sekretarin e tij të shtetit Rex Tillerson, me një njoftim të bërë po me anë të Twitterit. Në njoftimin e tij të enjten, Presidenti Trump shkruante: “I jam shumë mirënjohës Gjeneralit McMaster për shërbimin e tij, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe do të jetë gjithmonë miku im”. Gjenerali McMaster do të tërhiqet nga ushtria, thanë zyrtarët, sipas të cilëve, ai kishte disa javë që e kishte diskutuar largimin e tij me Presidentin Trump. Zyrtarët thanë gjithashtu se zoti Trump synonte ta plotësonte ekipin e tij të sigurisë kombëtare para takimit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Ata theksuan se largimi i Gjeneralit McMaster ishte një vendim i ndërsjelltë dhe miqësor. Z. Bolton është takuar rregullisht kohët e fundit me zotin Trump për të diskutuar mbi politikën e jashtme dhe ishte në listën e kandidatëve për këshilltarë të sigurisë kombëtare.