Ministrja e Drejtësisë përshëndet shkarkimin e Fatos Lulos
Shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e sheh si garanci që procesi i vettingut të shkojë përpara. Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Gjonaj thotë se rezultatet e ditë pas dite na vërtetojnë suksesin e padiskutueshëm të Reformës në Drejtësi.
“Sot, zbatimi i Reformës në Drejtësi shënoi një hap tjetër të rëndësishëm, të shumëpritur! Vendimi i parë i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit garanton ecurinë përpara të procesit të Vettingut si dhe rikthen besimin tek qytetarët për pastrimin e sistemit të drejtësisë.
Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që besojnë në detyrën e rëndësishme që kanë marrë përsipër dhe mbrojnë vetëm interesin më të lartë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo interesat e tyre personale financiare ose politike.
Reforma në Drejtësi përkundër të gjitha përpjekjeve për ta dëmtuar apo penguar, po jep rezultatet e saj të njëpasnjëshme, duke garantuar jo vetëm suksesin e kësaj reforme, por edhe një tregues pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në”, shkruan Gjonaj.
Më tej Gjonaj thekson se “Përgëzimet për fillimin e procesit vendimmarrës të vettingut i shkojnë jo vetëm Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe kolegëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Falënderojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për kontributin e tyre të pakursyer për dizenjimin dhe vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Rezultatet e ditë pas dite na vërtetojnë suksesin e padiskutueshëm të Reformës në Drejtësi”.