Albspirit

Media/News/Publishing

EDHE PERËNDIA TË DËNON KUR TRADHËTOHET ATDHEU

 

Brahim AVDYLI

 

 

 

(Shkrimi i katërt që e lexova nga Agron Iliriani)

 

Kur më rrahnin armiqtë me gjëra të forta mbi trupin, kokën, brinjët, kudo që kapin goditjet e tyre, mua më zë rëndë alivania, të fiktë, apo e humbi terësisht vetëdijen. Atëherë nuk i dëgjoj aspak të mallkuarit nëse më godasin prap apo kanë pushuar. Me humor të zi, kur nuk mund të qeshja, e quaja “gjumë”. Pra, “flija” tërësisht dhe gjumë po e quaj. Ashtu dhe asisojit: gjumë të thellë, sepse gjumi i vërtetë është një gjumë i ëmbël, të cilin e ëndërrojmë. Nuk kemi shtrojë e mbulojë të butë apo të nxehtë që ta shtrojmë, por vetëm në ëndërra. Madje, ta shtronim në pupla, sado që trupi i ynë shkallmohej e dridhej nëpër ndonjë pikë balte, psh. guri të madh e të thepisur të kthinave të dënimit, ku na shtoheshin edhe më shumë dhembjet. Me iluzione e benim pak gjumë, nëse mund të quhej gjumë. Ëndërrat asnjëherë nuk mund të na i ndalnin. Me ëndërra bëheshim se i mbërrinim ato të cilat gjithmonë na mungonin. Me ëndërra “nxeheshim” nëpër cegma të ftofta, duke paramenduar vatrën tonë, me zjarrin bubullak të druve.

Edhe gjumi im i kësaj nate nuk ishte gjumë i vërtetë, po një vdekje “klinike” apo artificiale, nëpër të cilin do të flija gjithmonë. Po, po, nuk do të zgjohesha më. Isha lodhur së duruari goditjet e pa fund. Po e quaja kështu me humorin e zi, si të zitë e kësaj jete. Nga të idhtit e kësaj jete qe zhdukur nga fjalori im fjala “qeshje”. Nejse! Tani për tani, po e lëmë këtë punë. Ka kohë kur do ti “lexoni” apo do t`i provoni këto dhembje, një nga një. Për dhembjet e mia nuk do të flas tjetër. I kuptoni këto gjëra apo nuk i kuptoni, nuk më luan rol aq me rëndësi.

Po u tregoj kur filloi të më ringjallet vetëdija më së pari në mendjen time. Ajo që të bën të ndjehesh gjallë dhe të zgjon prap në jetë, është mendja. Të thërret nga ndërdija “zgjohu, sepse ti mund të ngritesh prapë”. Sikur e thërret vetëdijen që të zgjohet. E pashë në mendjen time, po e shpjegoj, se në mes të errësirës së madhe, zi si korbi, terrinë e plotë, një pikë të vogël, e cila në kulmin e errësirës ishte si e bardhë e filloi të bëhëj nga errësira pak nga pak dritë. Erdhi duke u rritur në atë errësirë dhe u bë shkreptimë e madhe drite. Një zë ndëgjohej me të madhe nga prapavija: “Bir, zgjohu! Mos flej”. Por nuk e dalloja nëse ishte ai zë që kumbonte si zëri i babait tim apo zëri i Atit të Madh.

Duke u afruar apo duke e zënë hapësirën e mendjes një burrë i ulur këmbë- kryq, i cili e zinte mesin e dritës së bardhë e ishte mjaft serioz, por me dhembje të thellë, fillova të ndieja pak nga pak veten të gjallë, sa të lëvizë së pari gjishtat e mi, në përpjekje të vazhduashme për të lëvizur nga vendi e për ta pritur si duhej atë burrë të burrave prej qiellit, që ishte një rastësi.

“Më vjen keq, biri im!”– më tha. “Ti nuk e di ndoshta se jam krijuesi i madh i botës suaj, me të gjitha gjërat e mira, që i mbanë i tërë rruzulli tokësor. Dita dhe nata ndahen nga njëra-tjetra, pra drita dhe errësira, jeta e vdekja, e mira dhe e keqja, etj. Kundërshtar i imi është Kryedjali, demoni i madh, ndërsa unë jam Kryezoti i kësaj bote. Ai është i dënuar në mes të tokës dhe përpiqet ti mbledhë të vdekurit, kurse jam mbi tokë, ME DRITË JETE, i mbledhi ata që nuk e duan djallin, por mësimet e mia e më identifikojnë me DIELLIN. Jeta e juaj është jetë e përkohshme, ndërsa kur i jepni të gjitha detyrat tuaja, u marrin engjujt e mi, në jetën e përjetshme. Prandaj po të them se duhet të vuash edhe pak në jetën e përkohshme, aq sa të nevojitet ty, sepse je i ditur dhe mund tu tregojsh ate që kanë nevojë të tjerët. Të mundojnë e të mundojnë, aq sa nuk mund të mendohet, me trika të shumta të jetës së përkohshme, me dhumë të paparë, sepse janë të gatuar prej djallit, jo prej meje… Më vjen keq, më vjen keq për ty!…”

“Më kanë marrë në duart e veta me inat, larg qofshin prej të gjithë njerëzve që janë në vijen e mësimeve tuaja dhe prej meje, mallkuar qofshim, e nuk do të më lëshojnë deri sa të vdes, me emrin tuaj nëpër gojë, të qofshim falë!…”– mezi iu shpreha me këtë alivani të vdekjes, të vdekje-lindjes apo rilindjes.

“E di, e di biri im! Por, ata të mundojnë e të mundojnë deri sa u duron, sepse me durim afrohesh prej meje… Ti e kupton këtë lojë të turpshme të kësaj që i thonë jetë e përkohshme, në të cilën provohesh me çdo gjë. Është si purgatori. Në këtë botë, që ju e quani “jetë”, të dytë i kemi influencat tona, Unë e Kryedemoni, por, të mallkuarin e kam lënë të lidhur në zingjirë, në mes të tokës. Përpiqet që të influencojë, edhe me rrahje, madje me të gjitha mënyrat e liga. Nga të gjitha këto, dua të shpjegoj se ti dëshiron vetëm me dorën që të dridhet dhe me gjakun tënd prej damareve të shkruash të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, për hirë timin, dhe të bëhesh kurban për të gjithë të mirët! Paramendo: kjo është shumë e madhe, është një dhunti e veçantë, është miradi! Me këtë sakrificë tuajën do ta mbrojsh të drejtën time të përgjithshme, por edhe të drejtën individuale. Dëshiron t`ua lësh brezave përvojën tënde të dhimbshme, që edhe ata të kuptojnë me kohë dhe të mos bien nëpër kësi vuajtjesh. Me vjen keq që po vuan, por trupin tënd prej dheut e ke bërë sakrificë për të gjithë të tjerët. Kjo është më e arritura prej teje, më e madhja sakrificë e jotja! Më dhimbsesh për trupin tënd, sepse unë ta kam dhënë për të jetuar, e duhet ta vlerësoj pa tjetër edhe vdekjen tuaj”…

Zoti i Madh u ndal dhe po më shikonte me dhembje të pakrahasueshme. U mendova ashtu i shtrirë siç isha nëpër rrepticat e kësaj përplasje, nën e mbi normalen e jetës, dhe arrita të flas para të Madhit Zot:

“Faleminderit shumë, o Zot i Madh, i Gjithfuqishën, ty të qofshim falë! Forcoma me hirin tuaj, o Krijuesi im, nëpër të gjitha këto vuajtje të miat derisa të plotësoj detyrën time; jepëm mundësi që të shkruaj kështu si e qartësuat JU, dhe siç do të jetë më së miri për të gjithë të tjerët! Më jep mundësi me dashurinë e me dhembjen tuaj të madhe, që këto shënime të shkruara me gjakun e damarëve të mi ti gjëjë vetëm një burrë i dheut, si trupi im, që do ti shpëtojë këto të dhëna e do t`ua japë njerëzve të tjerë. Atëherë, nuk po më dhimset aspak jeta e përkohshme nëpër këto vuajtje dhe erdha pastaj në jetën e përjetshme, me engjujt tuaj”.

Drita e tij e madhe shkëlqeu tri herë radhazi dhe u rrit edhe më tutje. Ai bëri sikur buzëqeshi, por e ndali pak pranë vetes shkëlqimin e tij dhe e zgjati dorën  e djathtë përtej vetes:

“Biri im! U plotësuan këto dëshira tuajat, ndonëse më dhemb shpirti për ty. Sakrificat tua vetëm për njerëzit e paditur për drejtësi, janë një pjesë e të vërtetës që të dhemb. Dhembja, edhe e gjakosur, krijon përvojën e vuajtur, përvojën më të madhe. TI, ME TË VËRTETËN E MBRON TË DREJTËN. AI QË E THOTË SE ËSHTË I GATSHËM PËR KËTO, E GËZON MIRADINË DHE DASHURINË TIME TË PAVDEKSHME. Zgjohu biri im, e shikoji nën dorën time njerëzit tuaj se çka bëjnë, kur ti jap dritë për ta parë! Ashtu do ta kesh pamjen e gjallë”.

“Po, po, o i lumi Zot i Madh e Krijuesi i Gjithfuqishëm, i Gjithëdijshëm, i Gjithë-mëshirshëm! Me gjithë dhembjen time, unë po zgjohem përsëri!”-iu përgjegja me fuqinë që po më ngjallej. “Por të lutem, të lutem, mi zvogëlo ndenjat e mia, sepse më godasin kudo, edhe nëse nuk do të shoh mirë! Mi kanë lënduar sytë…”.

“E di, e di këtë çështje. Tani, e kam pak më lehtë!”– më tha Zoti i Madh duke buzëqeshur. “Ti, kur të duash, më ke në zemër! Zemrën e ke shumë të fortë e të pastërt. Po të ndihmoj që ta mbashë frymën edhe me pak mushkëri”.

Drita, në qendër të trurit, u transformua. Sikur e pushtoi tërë mendjen dhe ndërroi formë sa qel e mbyll sytë. Zoti i Madh u zhduk prapa dritës së tij. Kisha kaluar mbi realen. U ngrita dhe me mundime po i hapja sytë. E fshiva gjakun mbi sytë e mi, me shpinë të dorës, ngadalë e pa i shtypur fort.

Ktheva sytë të shoh botën poshtë meje në një fluskë të madhe shiqimi dhe pashë se si njerëzt e mi ishin ulur së bashku me armiqtë tanë më të mëdhenj, të cilët flisnin edhe gjuhët e tyre dhe buzëqeshnin, pinin pije të ndryshme me alkoohol dhe lëkundeshin të përqafuar me ata që deri dje kanë qenë dhunuesit më të mëdhenj të lirisë e të moralit tonë; që patën dhunuar gratë tona, motrat tona, e mbytur fëmijët tanë, me gjithë të tjerët, pasi i kishin fshirë “kokrrat” e tyre. I kishin joshur edhe më tutje me pak të holla budallenjtë e mallkuar prej nesh, armiqtë më të mëdhenj të Zotit e njerëzimit. Ata i “ndjellën” për të qenë aty në mes të asaj ordie djajsh; ata që mija lojëra dinin që t`i organizonin dhe përpiqen edhe sot që të mos i lëshojnë prej dore.

KUSH HYNË NË LOJË ME DJALLIN, E NGRITË KËMBËN SI DO VALLJA. Ndër të tjera, pazarllëqet më të turpshme e më të dhimbshme me pjesët e tokës sonë i kanë bërë, gjoja për të “hyrë në Evropë”, sikur ne nuk paskemi “dyer të hapura”, ndonëse e ndërtojmë me djersën e me gjakun tonë më të mirë këtë kontinent, nëpër të gjitha qendrat më të mëdha.

A ka kuptim “liria” e jonë me këta të cilët quheshin “njerëz të Evropës” e janë “zotër” të rrejshëm të saj, të kyqur në qendër të Evropës, së bashku me ne e të tjerët?! A ka kuptim “liria” me këta “armiq të djeshëm”, e të cilët sot i kryesojnë të gjitha firmat e mëdha të Evropës, e neve na “shesin mend”?! A është “liri” kjo liri e tyre e madhe, sepse qenka bërë me të gjitha “qeveritë” e jo të popujve, më së pari të armiqve tanë më të mëdhenj Bashkimi i Europian?! A keni ju sy të kthjellët që të shihni kush është “bashkuar” me Evropën përpara nesh?!…

Kuptimi i lirisë na delka tjetër për lirinë dhe e harron “lirinë kombëtare”. Liria më shumë i ngjanë lirisë më të madhe për të vepruar lirshëm çkado të duash e kur të duash e si të jetë më e logjikshme për ty, pa e rrokur klasën e madhe në pikëpyetje?! Ne u dashka pikërisht “të duam” ata të cilët kanë qenë dje sistem i tmershëm edhe kundër “lirisë” tënde të vogël e qënkan shndërruar papriturazi në pjesë “të tërësisë”, të cilët “me paqe” paskan të drejtë të marrin nga një copë tjetër toke, e cila na është lënë amanet nga stërgjyshët tanë, duke harruar me qëllim Dardaninë, që ka qenë një Mbretëri, dhe një mbretëri iliro-shqiptare, kur nuk kishte askund këndejpari “serbë”, “bullgarë”, “grekë”, “malazezë”, “sllavo-makedon”, “rusë”, “turk”, etj., të cilëve u thonë sot me pietet “popuj të Europës” apo “Europianë”, sepse “popujt” janë një konglomerat nga baza e tyre fetare, e jo “popull i vendit”, të cilët nuk i cakton feja, por etnia.

Kjo “Evropë” a mos e ka mundësinë globale të na zhvesh krejtësisht nga të drejtat kombëtare, që ne të mos shihemi as në një fluskë shamponi?!…

E kujtoj një thënie antitezë të patriotit prijetar Naum Veqilharxhi, i cili ka jetuar herët: “Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtynë njeriun të mohojë kombin e tij!” Këta, janë njerëzit tanë, nuk do mend se flasin shqip!…

Ne, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Çamërinë, tokën shqiptaro-ilire kudo që ishte ajo, e kishim si idol gjatë tërë jetës. Këto toka i lavdëronim atje ku nuk e meritonin dhe qenë përplot shqiptarë, por u zhgënjyem në shumë drejtime; që luftuam për to; për vegjëlinë tonë; për komb apo etni; për njerëzit tanë, që ishin të shtypur me gjak, të ç`njerëzuar, të robëruar, të privuar nga çdo e drejtë e jetës së mbushur plot e përplot me padrejtësi; të shtyrë me dhunë të degdisej sa më largë që të ishte e mundur, vetëm për të siguruar një kafshore buke; të prekur kudo në moral, te gratë e lëna vetëm, motrat e vajzat, etj…

E sot?! Në Kosovë u kthye klasa e jonë e prijetarëve në klasë të korruptuarve prej luftës së fundit, madje në një klasë e të korruptuarve të pasurisë tokësore, bankare, sigurimeve, të investimeve nga të tjerët, konkurset e privatizimit të pasurisë e pronës së shoqërisë në një pronë private dhe e ndërtimit të firmave private me pasuri të fshehur, të dhënë nga armiqët tanë, të cilët, dje kanë vrarë e prerë kudo, ndërsa sot po “investojnë” si “dashamirë të zhvillimit”; etj.

Më e keqja është se në tërë Kosovën shkoi puna keq dhe në vend se të bëhej Dardania, na etiketuan “kosovar”, që nuk është e drejtë, sepse nuk ka “komb kosovar”, por komb shqiptar, i cili flet shqip, madje 80% e popullatës është e kësaj etnie. Këta “luftëtarë” të djeshëm, që u kthyen në “prijetarë të sotëm” me votën tonë e na e vjedhin mbështetjen tonë, që të kënë “ligjshmëri” të prijnë përpara, sa të shesin tokën tonë, tokën e të parëve tanë, dhe të legjitimojnë këtë tradhëti, pa arritur asnjë copë tjetër të tokës sonë, e cila ka mbetuar vite me radhë në duar të armiqve, me Nishin, pra Shqipëria Verilindore; Sanxhaku, toka e jonë e Malit të Zi; Çameria; Maqedonia jonë në Greqi e toka shqipfolëse e Maqedonisë, deri në malet e larta të Kumanovës; e më tutje. A bëhet që klasa e jonë “prijetare”, d.m.th. klasa politike, të jetë e para në shpërfilljen e madhe kombëtare dhe shtetërore?! A bëhet kështu, a bëhet?!…

Kjo është marrëzi e paparë! Lokja e jonë e madhe, nëna e jonë, mëma e jonë, ti, At i shenjtë, që na i le këto troje brez pas brezi, si trashëgim, që qindra herë i lamë me gjak, edhe me fëmijët e shumtë e të shëndosh nën sopatat e pushkët e këtyre armiqve të mëdhenj, të kryearmiqve, tani të harrojmë atdheun tonë apo siç i thonë vëllezërit tanë, në të njëjtën vatër “mëmëdhe”, e të vihemi nën lakun e tyre me sopata në dorë; të hymë nën flamujt e tyre me gjashtë yje, të cilët asnjëherë nuk i kemi parë në qiellin tonë; të bëhemi “multinacional”; pra 80% të bëhen baraz me të tjerët; e cila është pjesa me e shenjë, më vuajtura pjesë e ATDHEUT, një copë toke e të quajtur kështu nga armiqtë tanë “Kosovë”, e të cilën e dëshironim e përpiqeshim shekuj me radhë që të ishte toke e lirë e të bashkohej me shtetin amë- Shqipërinë, pa e ditur se edhe ajo vetë mund të shitej te Greku, Sllavi, “Makedoni”, Rusi, Italiani, Serbi, Turki, e dreçi dhe i biri, e kudo tjetër, por që të mos jetë “e denjë” për atë luftë që e bëmë?!…

Ne, a po ua lëmë djemëve tanë tokën pa fjalë apo me fjalë?! Botën e mirrnim si “shembull”, e bota na logaritë më shumë si “islam”, se sa në fetë e tjera, në vend se të na shohë të gjithëve si “shqiptarë”, të caktuar me etni, si komb!…

Më kujtohet një fjalë e Hoxhë Mulla Idriz Gjilanit: “Kemi tri fe, kemi vetëm një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror e një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”.

Pra, a e kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut ku do të futet ai, si detyrë mbi detyrat, edhe në qoftë se na rrahim për vdekje, siç më rrahim mua?! A nuk është ky ideal i lartë i njeriut, në çdo pozitë politike e prijetare që të rastisë?!…

Unë po ua lë këtë vërejtje të madhe:

“EDHE PERËNDIA TË DËNON, KUR TRADHËTOHET ATDHEU!!”…

 

 

 

Please follow and like us: