Ish-ministri i Jashtëm: Dy diplomatët rusë mund të jenë agjentë, pse janë dëbuar
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo ka folur për dëbimin e diplomatëve rusë në Shqipëri por edhe në SHBA dhe vendet europiane. Në emisionin “Studio e Hapur” në News24, Milo tha se dy diplomatët rusë Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës mund të jenë agjentë të shërbimeve ruse.
Ai shpjegoi edhe ‘notën verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik’.
“Mund të jenë agjentë. Çdo qeveri dërgon në ambasadat e saj në bazë të fuqive që ka agjentë. Lidhur me veprimtarinë që nuk përputhet me statusin diplomatik, ata në një moment të caktuar janë interesuar sa ushtri ka Shqipëria, sa armë ka, tek i ka. Në momentin që një diplomat pyet një ushtarak apo një qytetar, apo shkon një një zonë strategjike dhe ky mbahet shënim dhe kur gjykohet momenti. Nuk është se qeveria e zbuloi dje që këta dy diplomatë bëjnë një detyrë tjetër nën mbulesën e shërbimit diplomatik”, deklaroi Milo.