Sotir ATHANASI: Kompleksi Gjenoveze
Paramnezi
Ai pallat qe disi i veçuar nga tërësia e banesave edhe për faktin se një ambulancë, që do të plotësonte ansamblin e atij sheshi dhe që ishte tejet e domosdoshme për zonën, ende s’po ngrihej. Hapësira bosh ditën mbushej me zërat fëminorë që luanin futboll. Darkave argëtimet e tyre sylla-mbylla trazoheshin me të dehurit e lagjes që zbrisnin nga stacioni i transportit qytetas për t’u ngatërruar si me këmbët e tyre me të vegjlit përpara se të mbërrinin pranë shtëpive. Ndonjëherë këto përplasje ktheheshin në ca shamata të tilla, pas të cilave banorët nuk flisnin më për ambulancë, por për një nervologji (siç thoshin vendësit) ose për një çmendi (siç nënvizonin provincialët). Këta dukeshin më pranë së vërte-tës, ngaqë deri tani kishin disa dëshmi bindëse. Përdorimi i mjeteve të ftohta vrasëse qe kthyer në çelësin (jo të muzikës) e … ulërimave, jo rrallë edhe fatale. Në vitin 1964, në lagjen Queens të New Yorkut Katerin Gjenoveze, vajzë nëntëm- bëdhjetëvjeçare italiane, por e ardhur në Amerikë, kthehej nga puna në orën tre mbas mesnate. Parkoi makinën disa metra larg pallatit. Kur po zbriste nga vetura, iu turr një burrë i cili ishte fshehur pas trungut të një peme… Thirrjeve të saj për ndihmë nuk iu përgjigj kërkush… derisa agresori manjak e psikopat e përdhunoi dhe e vrau me thikë. Kur dikush u kujtua për të thirrur policinë, e cila erdhi për tre minuta, thotë kronikani ynë, e reja Gjenoveze kishte dhënë shpirt. Në analet studimore ky rast quhet KOMPLEKSI GJENOVEZE dhe flet për BASHKËPËRGJEGJËSINË E NJË KRIMI.
Ndërtesa, më në fund, u mbush me qiramarrës. Kjo, në vend që të forconte bashkëpunimin e ndërjellë të komunitetit, sikur ndihmonte shpërbërjen e tij. Nënvlerësimi i tjetrit ushqente mënjanimin dhe kjo e fundit shpërfilljen.
Dy hyrjet: njëra në të tretin dhe tjetra në të katërtin e atij shtatëkatëshi, përkatësisht njëra mbi tjetrën, ndenjën gjatë pa u zënë. Mbase për shkak të çmimit më të kripur në krahasim me tre katet e mësipërme.
Tek i treti, më në fund, qe futur një nuse e re me një fëmijë të vogël tre vjeç, ardhur nga emigrimi në Greqi dhe që punonte banakiere në një lokal nate. Ajo kishte punësuar një vajzë të re që kujdesej për fëmijën mbas orës katër deri në orët e para të mëngjesit.
Një kat më sipër ndodhej një i ri në moshë, për të cilin njerëzit thoshin se qe në proces divorci me të shoqen dhe se faktikisht ishte i ndarë prej saj. Ai punonte diku për t’u kthyer vonë në hyrjen e tij prej beqari tanimë.
E veçanta për të, duhet pranuar se: ai i kishte bindur banorët për lagë-shtinë e murit dhe i ftonte të gjithë të vinin e ta shihnin. Por asnjëri s’qe ngjitur deri në katin e tij, ashtu si kurrkush s’u bë kurioz të shihte ç’ishte kjo lagështi për të cilën ai shpenzoi ca para, ngaqë duhej ngritur skela.
Në fund të fundit, komshinjve të atij seksioni u kishte ardhur mirë ky veprim hidroizolues të themi, dhe e shihnin me simpati të riun. Ky e kishte rregulluar shkarkuesen e ujërave të shiut që nga tarraca e deri në trotuar, mbërthyer me ganxha që të mos vidheshin tubat siç edhe kishte ndodhur deri më tani.
– Kjo qe dukja. Se ashtu si hekurat vishen me beton, edhe ca gjëra të tjera të ngjashmen e tij kanë.
Kështu e nisi gazetari investigativ tregimin. Përvoja dhe intuita e tij shpesh kishte tejçuar edhe praktikën policore. E në ndonjë rast fantazia e kronistit, ashtu si edhe me ne shkrimtarët, përzihej me realitetin. Natyrisht, jo për të zbuluar fjalën portugeze PARAMNEZI, por për të kuptuar më mirë tablonë e krimit.
Veçse ajo që do t’ju tregoj ndodhi me nusen e re të katit të tretë.
Ngjante me KOMPLEKSIN GJENOVEZE* në New York, por kishte edhe të veçantën e saj, si në çdo gjë tjetër shqiptare.
Qe një nga ato netët e errëta ku çdo gjë ishte çngjyrosur e tjetërsuar për të sjellë jo vetëm paqartësi e trishtim, por edhe frikë e parandjenjë rrezikshmërie.
Ishte ora tre pas mesnate kur mbërriti përpara shtatëkatëshit të saj gruaja e re. Ajo kyçi makinën dhe kur zbriti, një hije doli nga nënshkalla. Nuk i kishin bërë sytë, jo. Por e hoqi veten sikur nuk e vuri re… Ngriti kryet lart dhe pa dritën e ndezur në dhomën ku rrinte dadoja me djalin e saj.
I vogli kishte parandjenjë dhe e nuhaste mbërritjen e së ëmës. Madje kësaj here, edhe pse ishte në gjumë, zgjohet menjëherë dhe lëshon një klithmë rrëqethëse:
– Mami! Dua mamin, dua mamin!
– Erdha, bir, – u përgjigj nusja e re për të zbutur sadopak egërsinë e agresorit. Por s’mbërriti të bëjë as një hap përpara.
Hija kishte bërë ballë para saj që t’ia hiqte mundësinë të hynte në rampën e shkallës, ngaqë aty ajo fare kollaj ishte në gjendje t’u binte dyerve të komshinjve.
Djali në katin e tretë i shtoi të qarat dhe dadoja doli me gjithë të në ballkon. Befas nisën të ndizen të gjitha dritat e dritareve të banorëve. Nusja e re thërriti:
– Ndihmë, ndih… – por nuk mundi të plotësojë fjalën se dora e hijes ia vulosi gojën.
Ajo, duke u përpjekur t’i shpëtonte nga duart e agresorit, njohu fytyrën e ndyrë me të cilin edhe qe grindur në banak, por ndërsa ai përpiqej ta shtrinte në asfalt që pastaj ta zhvishte, gruaja mundi të heqë këpucët me taka dhe njërën ta shtrëngojë në dorën e saj të djathtë.
Lart fëmija, sikur keqbërësi të torturonte atë, u shqye nga të qarët dhe thirrjet:
– Ma-mi! Ma-mi! Ma-mi!
Tingulli i atij zëri fëminor do të rrëqethte çdo njeri që në gjoksin e tij ka një zemër dhe jo gur. Por nuk iu përgjigj askush nga siluetat pas qelqeve që nisën të dridhen pas perdeve, që edhe ashtu, si në teatrin e hijeve, shihnin të përpëlitej një femër për t’u mbrojtur nga një tjetër hije agresor, i cili pati paturpësinë të tallej me të miturin:
– Mos qaj, xhan. Se mami jot ka ca punë me këtë xhaxhin e shpellave. Kështu nuk më quajte atje në banak?
– Po dhe ti po e vërteton, – tha ajo që rrotulloi sandalen për të gjetur pozicionin më të mirë që ta godiste. Se ishte e bindur në një dhe vetëm një mundësi befasie. Dhe kjo duhet të qe e fortë nga ana e takës që kishte majë metalike, saktësisht në sy. Ajo e dinte se pas kësaj nuk do të kishte rast ta përsëdyste atë goditje që duhet të qe shpëtimtare.
Të qarat e fëmijës s’reshtin dhe thirrjet për të ëmën gjithashtu.
– Edhe ti po vërteton se je, jo nën pemë, siç të thashë atje, në banak, por nën shalët e një shpellari.
Pas kësaj ai lëshoi një të qeshur neveritëse. Por s’qe koha e të ndohtit e krupës apo të vjellave. Koha e dinakërisë për të goditur forcën. Për të mposhtur dhunën. Ai çast kishte ardhur. Drithërima e zërit të djalit të saj ia rriste urrejtjen dhe mprihte dinakërinë.
– Mirë, me mua ke inatin e banakut, po me tim bir çfarë ke, dhe i thua vetes burrë. Shikoje njëherë si po shqyhet për mamin e vet… Një burrë i vërtetë nuk e lë fëmijën të lotojë. Shiko sa i bukur është, djali i mamit të tij!
– Që edhe pak e do ta shqyej, – tha ai dhe ktheu kryet nga ballkoni.
Ky qe çasti. Kali i Odisesë rrëzoi Trojën.
Taka metalike e goditi në njërin sy dhe ndonëse s’mundi ta riqëllonte edhe në tjetrin, Nga thonjtë e agresorit: Nusen, Gruan, Nënën e fëmijës E ÇLIROI.
E bërtitura e agresorit nga dhimbja në sy duhet ta ketë zgjuar edhe gjumashin më të madh dhe duhet të ketë nxjerrë në dritare edhe kampionin e shpërfilljes që: megjithatë nuk u bë i gjallë të reagonte.
Gruaja e re nuk mund të ngjitej te shkallët.
Aty mbërriti shpellari që tanimë kishte nxjerrë një thikë. Nusja thërriti përsëri. Provokimi i saj qe dëshpërues:
– A ka burra ky pallat apo vetëm meshkuj për në krevat si ky ciklopi që ka zënë nënshkallën?
Tha kështu dhe u turr drejt makinës, jo për t’u futur në të, se e dinte që egërsira do ta mbërrinte. Por për ta hutuar që të lironte hyrjen. Se nga lëvizjet e çoroditura të tij kjo grua ishte në gjendje të dallonte defektin në sy që i shkaktoi.
Ndërkaq, i vetmi burrë në pallat që ndjeu këtë, ishte i riu i katit të katërt. Ky, si vëzhgoi nxitimthi përjashta, diç futi në gji dhe u kacavar nga tubi i shkarkimit të ujërave të shiut që sapo kishte rregulluar. Mënyra se si zbriti dhe nxitimi flisnin për një njeri me përvojë për atë që po bënte. Të qarat e djalit u shtuan. Befas ai thirri:
– Babi! Dua babin time! Dua babin time!
Të riun ai zë e drodhi. Hodhi drejt errësirës vështrimin e ujkut dhe pikasi prenë e tij. Ky fshihej te pjesa e pasme e automjetit që nusja e re, sapo të shkëputej nga ana ballore dhe të merrte drejtimin e shkallares, ai të dilte dhe t’i priste udhën. Por…
Djali, tejet i shpejtë, mundi t’i dali i përkulur nuses përpara me gishtin tregues në buzë, gjë që tregonte se duhej të heshtte. Ajo shtangu. Jo se u tremb, por… ZOTI E DESHI PËRMBYSJEN E SITUATËS. Ajo nuk e priste të shihte në ato çaste jete a vdekjeje ish- burrin e saj me të cilin nuk qenë mbushur dy javë nga procesi i shtyrë për divorc. Ai i kishte thënë: “Kudo që të shkosh, pas do të më kesh si hije, vetëm e vetëm se nuk mund të qëndroj larg teje dhe sidomos atij fëmije që qan për mua kur mungoj.
Gishti tregues midis buzëve e lumturoi nusen. Fëmija vazhdonte të qante dhe të thërriste:- Ba-bin! Dua babin time! Dua ba-a-a-a-bin!
Ky zë i pafajshëm fëminor bëri që nusja e re, edhe pse me gjoks të shqyer nga një egërsirë, të vërë buzën në gaz e të mendojë.
“Ja, tani do të vijë babi. Sa të bëhet i denjë për ty, bir.”
Kurse rioshi-baba kaq donte që të nxirrte nga gjiri një shishe me raki dhe t’i turrej me shpejtësinë dhe forcën e tigrit hijes së kërrusur. Nuk i nguli dhëmbët. Jo. Por i theu shishen në kokë. Agresori ktheu kryet dhe babai i fëmijës, për ta shpëtuar të ëmën e shqyer nga ato duar të fëlliqura që shtrëngonin thikën, me fundin e shishes së thyer e goditi në fytyrë.
Ulërima e njeriut-BISHË bëri që të hapen të gjitha dritaret dhe “trimat-burra”, këta banorë shpërfillës, kërkonin të shihnin, si në kopshtin zoologjik, cila qe kjo kafshë me këtë klithmë. Dhe panë, siç do të dëshmonin më vonë në polici:
“Një “të dehur” që i merreshin këmbët tek shkoi pas pallatit për në stacionin e autobusit”. Por a ishte vërtet kështu? Përpiquni të kuptoni:
Rioshi-baba la te agresori qafën e shishes dhe vërtet, si i dehur, u drejtua pas pallatit, por jo për të shkuar te stacioni i autobusit, por për t’u ngjitur nga tubi i ujërave të shiut te hyrja e vet në katin e katërt. Pati kujdes që sapo u fut në apartament, të hidhte dorezat sanitare në banjë dhe të shkarkonte ujin, i cili përshkoi të gjitha katet për të gurgulluar te nënkapaku i pusetës. Atje mbeti i shtrirë hija, ku edhe shfryu grahmat e fundit. Shkaku i vdekjes nuk i erdhi gjithaq nga dhimbja e tmerri që mbeti pa sy në errësirë, sesa nga hemorragjia.
Policia u njoftua pas tri orësh me celular nga banori i parë kur doli për të shkuar në punë.
Çifti u bashkua sërish.
Por jo në atë pallat. Në skajin tjetër të qytetit gjetën një apartament.
Siç mund ta ketë kuptuar lexuesi ynë i vëmendshëm, Rioshi-Baba ishte një narkotrafikant. Ai shpërndante drogë, të cilën e mbante të varur në tubin e shkarkimit të ujërave të shiut. Prandaj edhe e rregulloi atë. Aspak për lagështi. Ky qe edhe shkaku i ndarjes, që nusja e re nuk e tha në gjyq. Ajo këmbëngulte se nuk u puqeshin karakteret, ndërsa i qe lutur të hiqte dorë nga droga.
Dhe atë që s’mundi ta arrijë e vetme një nuse e re, ta shërojë burrin e saj nga sëmundja e drogshpërndarësit, e mjekoi brenda një nate të errët zëri i fëmijës së tij.
– Po të qarat e fëmijëve të të tjerëve, të atyre që ti i furnizon me drogë, a i dëgjon burri dhe babai i vogëlushit tonë?
Kjo qe pyetja që nusja e re i bëri të shoqit dhe ia mbërriti.
– Dhe ku jeton ky çift tani? – pyeta unë njeriun që më tregoi ngjarjen.
Dhe ai m’u përgjigj:
– Në pallatet te “Komuna e Parisit”.
Unë qesha se m’u kujtua ngjarja në Lagjen Queens të New Yorkut, e cila ka hyrë tashmë në analet e emërtuara: KOMPLEKSI GJENOVEZE.
Katrin Gjenoveze, vetëm 19 vjeçe, ra viktimë e një manjaku dhe humbi jetën nga shpirtligësia e njerëzve, shpërfillja, mënjanimi.
Ne shqiptarët i përqafojmë lehtë këto karakteristika të modernitetit.
Athinë, korrik 2016
Please follow and like us: