PS ‘bën dalje’ doganier-hipotekist Alket Hyseni, zëvendësohet me Bledi Çuçin
Deputeti socialist Alket Hyseni është duke u përballur me një akuzë publike përvetësimin e një prone në bregdetin e jugut. Pasi një grua e denoncoi në TV se i ka marrë përmes dokumenteve fakse 11 mijë metra katror në bregdet, Partia Demokratike ka kërkuar që të nisin hetimet. Nga ana tjeter në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Rama i terhoqi vemendjen deputetit të tij, duke i kërkuar të dilte publikisht dhe të sqaronte situatën ku është përfshirë. Hapi tjetër është ndëmarr sot po nga PS-ja. Ky grup parlamentar e ka hequr Hysenin nga detyra që kishte si relator i ligjit për prokurorinë duke e zëvendësuar me Bledi Cucin. Kësisoj Alket Hyseni nuk i paraqit fare në mbledhjen e komisionit të ligjeve. Për këtë ka reaguar Partia Demokratike e cila thotë se deputeti i PS po i shmanget përballjes me të verteten:
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, i kapur në flagrancë me aferën e grabitjes së 11 mijë metrave tokë në bregdetin e Dhërmiut, është shmangur sot nga përballja me akuzat duke braktisur Komisionin e Ligjeve. Hyseni, i cili është denoncuar zyrtarisht nga familja Bua për vjedhjen e pronës, ishte përcaktuar si relator në Komisionin e ligjeve për ligjin e Prokurorisë së Përgjithëshme, bazuar në ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD. Deputetët e këtij Komisioni, janë njohur në fillim të diskutimit të këtij drafti se relator nuk do të ishte më Alket Hyseni, por deputeti tjetër socialist Bledi Çuçi.
Vetë deputeti i Ramës, akuzuar për aferën e grabitjes së pronave në Dhermi, ka dhënë tjetër një provë të mospërballjes me të vërtetën dhe ka braktisur mbledhjen sapo ka nisur diskutimi ku ai ishte përcaktuar si relator, pra për ligjin e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo fakton në njërën anë akuzat e ngritura nga familja Bua në Dhërmi, por sidomos frikën e Alket Hysenit për t‘u përballur me akuzat e grabitjes së pronës.