Ndue Ukaj: Mashtruesit e mëdhenj politikë
Qofsha i gabuar, por me këtë president që ka Kosova dhe me këtë mentalitet qeverisës, me ministra mediokër të sojit të atyre që nuk “dinë” çka bëhet në dikasteret që ata udhëheqin, me të tillë që flasin kuturu dhe nuk dinë çka thonë, Kosova liberalizimin e vizave e ka shumë larg. E integrimin në BE dhe NATO, edhe më larg.
Këta drejtues, tanimë është dëshmuar se, atë që mund ta bëjnë mirë është, që t’i kultivojnë edhe më tutje raportet nënshtruese dhe poshtëruese në raport me Turqinë.
Ndërkaq, shqiptarët e shkretë, do të vazhdojnë të mashtrohen dhe të ëndërrojnë Europën, ku bëjnë çmos të shkojnë, dhe jo Turqinë.
Atyre, përsëri do t’u premtohen integrime, liberalizim vizash dhe standarde europiane.
Ama, standardet europiane nuk mund t’i arrijnë ata që nuk i duan ato vlera. Ata që i shkelin ato me dy këmbë.
Është neveritëse t’i dëgjosh ministrat që kanë funksione të larta kushtetuese, tek thonë nuk dinë çka bëhet në dikasteret e tyre. Në të vërtetë, ata dinë gjithçka, por shtiren se nuk dinë.
Për një gjë mund të jem i sigurt: ata nuk dinë të veprojnë në përkim me standardet moderne që i kërkon demokracia, sepse një gjë të tillë e kanë dëshmuar sa e sa herë, por format tjera joeuropiane, i kajë të njohura dhe të perfeksionuara.
Sot, kur bisedohet për këtë temë, që e ka tronditë Kosovën, nuk është aq me rëndësi të dimë, kush ishin ata që u deportuan, siç po tentohet të manipulohet procesi, por pse u dhunua kushtetuta e vendit, ligjet, konventat ndërkombëtare, pra, pse u bë diversion ndaj institucioneve, kush e kërkoi atë dhe kush e zbatoi atë?
Presidentit i Kosovës dhe institucionet tjera përgjegjëse, kanë shkelë me dy këmbë parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ata i kanë shkelë këto parime, nëse kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë vepruar, por edhe nëse nuk kanë qenë në dijeni. Sepse, ata janë aty për të ushtruar pushtet.
Me paaftësinë tyre ose me dredhitë si metoda pune, ata kanë treguar se vendi ynë është në rrezik, dhe aty, mund të veprojë kushdo dhe kurdo. Kanë dëshmuar se, mund të cenohet integriteti i shtetit dhe institucioneve, jo në veri, nga bandat serbe, por në Prishtinë, nga shërbimet e shteteve të huaja.
Prandaj, është koha që këtyre t’u themi: përrallisjet tuaja kanë marrë fund.
Ju jeni mashtrues të mëdhenj!