Haradinaj nderon Natasha Kandiqin
Kryeministri Ramush Haradinaj ka nderuar me “Hartën e Artë të Kosovës”, drejtoreshën e fondit për të drejtën humanitare në Beograd, Natasha Kandiq
Haradinaj ka vlerësuar punën e aktivistes serbe për të drejtat e njeriut, Kandiq, duke thënë se fondi i drejtuar nga ajo, deri më tani ka publikuar të dhënat më të sakta për të vrarët në luftën e Kosovës.
“Të veprosh në një mjedis të pasigurt dhe të mos i ndash viktimat e dhunës sipas përkatësisë, por të kërkosh drejtësi për to, është jo vetëm humanizëm i pashoq, por edhe guxim qytetar e njerëzor”, ka shkruar Haradinaj.
Teksa në shenjë falënderimi Haradinaj bëri të ditur edhe dhënien e këtij nderi.
“Nataša Kandić me Fondin për të Drejtën Humanitare ka publikuar të dhënat më të sakta deri më tani për të vrarët në luftën e Kosovës dhe në shenjë nderimi për kontributin e madh, sot ia dedikova “Hartën e Artë të Kosovës”, duke e falënderuar për gjithçka që ka bërë për ta ndriçuar të vërtetën”, përfundoi Haradinaj, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, të cilit i ka bashkangjitur edhe një fotografi nga ky moment.
Kandiq është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, një organizatë për të drejtat e njeriut e cila vlerësohet për hetimet e saj sistematike dhe të paanshme për abuzimet e të drejtave të njeriut.
Që nga fillimi i luftërave jugosllave në fillim të viteve 1990, ajo ka dokumentuar dhe protestuar kundër krimeve të luftës të kryera midis viteve 1991 dhe 1999, duke përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjen.