Koncerti i një fashisti grek, ofendim për shqiptarët
Gazmend Kapllani
Në Selanik të Greqisë, nacionalistë të majtë e të djathë rrahën kryetarin e bashkisë së qytetit, Janis Butaris. Një burrë i mençur dhe trim, që vite tashmë i kundërvihet nacionalizmit histerik, me të cilin është mbrujtur shoqëria greke – që nga krijimi i shtetit modern grek.
Butaris është mbi të gjitha një simbol që urrejnë Kisha Ortodokse Greke, fashistët, stalinistët, kopukët, hajdutët, shteti i thellë grek. Perse e urrejnë? Sepse thotë disa të vërteta të thjeshta si për shembull, flet për holokaustin e hebrenjve të Selanikut (një qytet, universiteti i të cilit është ndërtuar mbi varrezat e hebrenjve të qytetit!); flet për të kaluarën e një qyteti, Selanikut, që dikur ishte një nga qytetet më kozmopolite në Mesdhe dhe që vala e nacionalizmit dhe spastrimeve etnike e ka kthyer në një provincë ku mbizotëron fjala e talibanëve ortodoksë dhe e paranojës nacionaliste.
Por unë, për tjetër gjë doja të shkruaja. Kur isha në Tiranë javën e kaluar, pashë afishe të një koncerti që do jepet në Tiranë, në datën 24 maj, të një këngëtari grek quajtur Notis Sfakianakis. Notis këndon tallava greke, të quajtur në greqisht edhe “muzikë skiladhiko”, ose në shqip “muzikë qençe” apo “muzikë hum-hum”. Nejse, në një shoqëri të hapur, njerëzit janë të lirë të dëgjojnë dhe të adhurojnë edhe “muzikën hum-hum”.
Problemi është se Sfakianakis është një fashist i hapur, i cili i ka quajtur shqiptaret “plehra”, që jep koncerte për nazistët e Agimit të Artë dhe nxit urrejtjen dhe paranojën nacionaliste në Greqi (përveç faktit që është një ufolog, që beson se grekët janë racë aq superiore, saqë e kanë prejardhjen nga jashtëtokësorët!).
Më bëri përshtypje që ata që Sfakianakis i quan “plehra” do paguajnë 100 apo 200 euro për biletë që ta dëgjojnë, ndërsa në Greqi biletat për koncertet e tij nuk i kalojnë zakonisht 50 euro. Sigurisht, me aq shumë pare të pistë që qarkullon në Shqipëri, shumë “plehra”, mendoj, s’i kanë për gjë 200 euro për një natë.
Por ajo që të shokon në rastin e atdheut tonë ende-geto është se ne nuk adhurojmë dhe respektojmë vetëm anët më të këqija të vetvetes, por edhe anët më të këqija të të tjerëve.
Koncerti i këtij ufologu fashist dhe urrejtje- ndjellës nuk është vetëm ofendim i rëndë për shqiptarët. Është ofendim i rëndë edhe për njerëzit demokratë në Greqi dhe kudo në Ballkan dhe Europë.