Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Kosovarët, kosovarët…

Ky sherri a debati mes Sali Berishës dhe Hashim Thaçit është gjëja më e panevojshme dhe si rrjedhojë, më bajajtja në këto ditë të nxehta gushti. Siç e kemi zakon ne mjafton një ide ndryshe a një veprim tjetër fillojmë e nxjerrin në tavolinë ato që na ka barku. Ka dy ditë që një lukuni e tërë opinionistësh këtej e andej, çfarë nuk thonë për Hashim Thaçin. Megjithëse gjatë qeverisjes dukeshin se kishin një muaj mjalti mes Prishtinës kur drejtohej nga komandanti i UÇK-ës dhe Tiranës nga lideri i të ashtuquajturës së dhjathtës shqiptare. Por çfarë na shohin sytë e çfarë na dëgjojnë veshët, vërteton atë që koha është matësi më i saktë i raporteve, miqësive a marrëdhënieve. Dhe në rastin konkret po vërteton një gjë, se sa e pasinqertë ka qënë deri dje miqësia mes liderëve tanë. Dhe se e tillë duhet të jetë edhe kjo midis drejtuesve aktualë. Mos u habisni nesër kur webet e të majtës t’i vërsulen përshembull Rramushit a ndonjë tjetri. Eshtë vënë në punë një makineri e tërë me urrejtje e shfrymje, sikur vërtetë ne shqiptarët kudo ku jemi, e kemi kaq të nevojshme të dimë se çfarë gjarpri ka qënë Hashim Thaçi. Me çfarë njeriu kemi komunikuar, me kë kemi punuar dhe me kë kemi hartuar platforma qeverisëse me interes të çështjes kombëtare.
Në fakt nuk ka asnjë ndryshim mes njërit dhe tjetrit. Dhe që të dyja palët vazhdojnë me metoda propogandistike të kohës, një trashëgimi e mbrapshtë e transmetuar nga korridoret e dikastereve të diktaturës. Ndoshta ishte kjo arsyeja që i ndjeri Rugova nuk i bëhej të kalonte natën në Tiranë, në ato tranzitet midis Prishtinës dhe kryeqyteteve të Europës. Megjithëatë nga ana tjetër ky sherr faraonësh demonostron edhe një fakt, atë që ne jemi krejt të pa aftë për të ndërtuar shtet. Shumë mendojnë se është bota ajo që na pengon, por nuk është ashtu. Jemi ne… këtë e vërteton mënyrat se si flet Tirana zyrtare, se si i qaset pjesës së së epërme të saj Kosovës. Një terminologji e tërë zhurmon me kosovarët, kosovarët sikur nuk janë shqiptarë. E kemi të vështirë të themi shqiptarët e Kosovës.
Unë e kam thënë edhe herë të tjera, që politika aktuale, Tirana, nuk ka se çfarë i jep Prishtinës. Kjo për faktin e një konfliktualiteti të vazhdueshëm midis të majtës dhe të djathtës. Kësaj të djathte që dominohet nga teserexhinjtë e diktaturës së proletariatit. Mund t’i jepte përshembull nëse midis Ramës dhe Berishës do kishte një komunikim normal.Një komunikim shtetarësh konkrete mbi shifra dhe hapje krahu normal ashtu si ndodh rëndom në demokraci. Por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Mund t’i jepte ta zëm nëse Paloka dhe Balla do të komunikonim normal, me shifra e fakte. Dhe po normal do i hapnin krahun njëri-tjetrit. Por kjo as që çohet nëpër mend dhe jo më të ndodhi. Mund t’i jepte nëse Shqipëria do kishte rekordet e Kroacisë, por nuk i ka. Ka një borxh publik që pretendon se e uli 0003%, por në të vërtetë është futur më keq. Mund ta ndihmonte nëse do kish ndërtuar një sistem juridik profesional, të pa korroptuar, një shtet ligjor, por nuk ka mundur, përkundrazi ka dështuar dhe sot është në një rënie totale të shtetit. Mund ta ndihmonte me politika lehtësuese në dogana, për shkak të valutës që ofron shqiptarët e Kosovës në Shqipërinë amë, por nuk e bën. Një shqiptar i Kosovës në restortet e Shqipërisë quhet, kosovar, turist i huaj dhe etja për ta rrjepur është me shumicë. Mund ta ndihmonte me njehsimin e programeve mësimore, të teksteve, po në Shqipëri janë të gjithë akademikër dhe ka kaq shume tekste alternativë sikur e uruara gjuhë shqipe t’i përkasi Kinës dhe jo një Shqipërie sa një kokërr fasule.
Por gjithsesi e ka ndihmuar, e ka ndihmuar me modelin më të keq të mundshëm të pluralizmit, konfliktualitetin, gjuhën bastarde të komunikimit etj.
Kësisoj nuk e di pse u djeg kaq shumë shtetarëve shqiptarë, në rastin konkret Sali Berishës se çfarë bën përshembull presidenti i Kosovës. Se çfarë korrigjimesh kufijsh bëjnë ata kur Shqipëria me këta politikanë vetëm e ka dëmtuar Kosovën. Në 28 vjet demokraci, mezi krijuan një ministri të diasporës dhe kurrë nuk kanë pasur takatin të bëjnë një investim monetar në Kosovë, a për shqiptarët pranë vijës kufitare me ish republikën e Jugosllavisë. Dhe kur shqiptarët e Kosovës nisën luftën me fonde të emigrantëve, Shqipëria degjeneroi në konflikte grupesh për të përfituar para deri në deputetë e klane partish. Madje u ka bërë rreshtore vullnetarëve të luftës për çlirimin e Kosovës… Dhe që e furnizoi me naftë Serbinë, këtë nuk e luan topi. Më ka ndodhur vet një natë, në urën e Milotit, na bëri rreshtore policia mua dhe tre shokëve të mi, vetëm pse unë kisha një kartë gazetari në xhep. Qe mesi i natës, ura tronditej nga autobotet…
Gjithsesi, nuk e di me tagrin e kujt kanë shkuar ata shqiptarët e Luginës së Preshevës tek Sali Berisha…, por një gjë u duhet thënë. Sali Berisha nuk ka se çfarë u jep më shqiptarëve e jo më ju… Përkundrazi shqiptarët i dhanë shumë dhe prapë po i japin. Ashtu siç po i japin edhe këtij me poture e atlete të bardha. Siç po i japin edhe Metës. Ndërroni kafe dhe komunikoni me ne, nuk ka asgjë të keqe, jemi vëllezër të një gjaku. Por mos prisni nga ishët a këta aktualët… nuk kanë fare hallin tuaj. Nuk i kanë dhënë asgjë Shqipërisë, se po t’i kishin dhënë e thashë një herë, do ishim sot si Kroacia. Por jemi oazi i të pa aftëve, mjafton të shohësh Braçen në tv. A ”pasurinë” Balliu tek e djathta. Jemi një oaz shushunjash ndaj bëni shtetin tuaj me shtetarët tuaj. Se ta dini, edhe në Europë keni për tu anëtarësuar me shpejt nga ne.

Please follow and like us: