Dr. Xhoi Jakaj: Java masakër dhe plot lot e dhimbje
Java që po mbyllim me plot gojën mund të konsiderohet horror. Një i ri 24 vjeç në Resulaj të Vlorës, që mund të jetë me patologji të pazbuluara të shëndetit mendor vrau pa ju dridhur qerpiku 8 veta, mes të cilëve edhe një djalë 9 vjeç e një vajzë adoleshente 17 vjeçe, shto dhe faktin që të gjithë i kishte kushërinj. Një grua e papërgjegjshme realizoi një masakër në Kodër-Kamëz, duke vrarë një djalë 29 vjeç në biçikletën e tij, i cili po drejtohej për në punë për të ushqyer familjen e tij me bukë dhe ushqim, si dhe vrau një vajzë 7 vjeçe në duart e një nëne dhe tmerroi atë bashkë me vajzën tjetër, duke i masakruar me makinë.
Deri kur të sëmurët psikikë dhe të papërgjegjshmit do marrin jetë të pafajshme njerëzish…? Ajo që më shqetëson më shumë është kur këto dy raste fillojnë dhe i trajtojnë politikisht dhe për të rënë në sy se po bëjnë ndonjë punë të hajrit duke i “shërbyer” popullit të thjeshtë me pseudoshkrime, rastet sipas tyre duhet t’i zgjidhë shteti dhe fajtor është vetë shteti, po cili shtet në botë ndalon dot një të sëmurë psikik në një fshat të thellë të rrëmbejë armën kur kjo e fundit gjendet kudo dhe të vrasë tërë farefisin? Cili shtet ndalon një grua të papërgjegjshme të shtypë gazin në vend të frenave e të vrasë njerëz të pafajshëm në mes të rrugës në punën e tyre?
Jo, jo o politikanë të dështuar, nuk ka faj shteti se ka të sëmurë psikikë se kjo ndodh në mbarë botën, edhe në atë më demokratike e me drejtësi të konsoliduar, madje ka ndodhur edhe kur ishte PD pushtet, pra kur ishit ju që shkruani se paska faj shteti se vret një individ i çmendur ose se një grua e papërgjegjshme ka marrë patentë të parregullt dhe i jep makinës sa hap e mbyll sytë me shpejtësi, duke vënë këmbën në gaz si e sëmurë mendore. Ajo që dua unë të ngre si problematikë dhe shqetësim i madh ndër vite është se fajësoj të gjitha qeveritë në këtë vend për mosmbledhjen e armëve, e cila duhet të bëhet një orë e më parë, si dhe armëmbajtja pa leje të konsiderohet vepër e rëndë penale e ligji të ashpërsohet si një formë detyrimi që t’i dorëzojnë shqiptarët këto mjete shumë të rrezikshme në duart e tyre që sjellin vetëgjyqësi dhe fatkeqësi të atij që vret dhe të asaj familjeje që i vritet familjari. Një pyetje kam për ju që më lexoni sot: A ka ardhur koha dhe a është kthyer në detyrim për të shmangur fatkeqësitë nga dora e njeriut dënimi me vdekje? Këtë duhet ta rregullojë politika dhe parlamenti qoftë i djathtë apo i majtë me ligje dhe me nene të veçanta e të plota në Kushtetutë dhe Kod Ligjor, që kush vret duhet të dënohet me burgim përjetshëm, ose jeta e tij të pritet në mes ashtu, sikurse ai ose ajo mori jetë… Askush pa një rregullim me ligj dhe zhdukjen nga duart e popullit të armëve në këtë vend nuk e ka jetën të sigurt! Zoti i mbroftë jetët e njerëzve!