Albspirit

Media/News/Publishing

Spiunët e Iranit në SHBA dhe Shqipëri

Pak ditë më parë pati një lajm se Këshilli Suprem i Sigurisë së Iranit, në një udhëzim drejtuar Ministrisë së Inteligjencës, Forcës terroriste Quds, Inteligjencës së Gardës Revolucionare dhe agjensive të tjera të përfshira në eksportin e terrorizmit e fondamentalizmit, i ka urdhëruar ata të marrin masa të mëtejshme për të spiunuar MEK-un dhe Rezistencën Iraniane dhe të hapin rrugën për akte terroriste. Është përmendur gjithashtu se Irani po përdor si elementë iranianë, ashtu edhe të huaj për të mbledhur informata rreth MEK, sidomos në Shqipëri dhe afër kampit të Moxhahedinëve në Manzë.

Në një çështje të ngjashme, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nxjerre një deklaratë mbi arrestimin e dy individëve në këtë aspekt. Më poshtë vijojnë pjesë nga kjo deklaratë:

Dy Individë Akuzohen për Veprim si Agjentë të Jashtëligjshëm të Qeverisë së Iranit

UASHINGTON – Sot u bë një padi që akuzon Ahmadreza Mohammadi-Doostdar, 38, shtetas i dyfishtë ameriakno-iranian, dhe Majid Ghorbani, 59, shtetas iranian dhe banues në Kaliforni, se kanë vepruar supozimisht në emër të qeverisë së Republikës Islamike të Iranit duke kryer mbikëqyrje të fshehtë të objekteve izraelite dhe hebreje në Shtetet e Bashkuara, si dhe duke mbledhur informacione identifikuese rreth shtetasve e kombasve amerikanë që janë anëtarë të grupit Mujahedin-e Khalq (MEK).

Këto akuza janë shpallur nga Ndihmës Avokati i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare John Demers, Avokatja e SHBA-së Jessie K. Liu për Distriktin e Kolumbisë, si dhe nga Ndihmës Drejtori Ekzekutiv Michael McGarrity nga Dega e Sigurisë Kombëtare e FBI-së.

“Doostdar dhe Ghorbani supozohet të kenë vepruar në emër të Iranit, duke përfshirë mbikëqyrjen e kundërshtarëve politikë dhe veprimtari të tjera që mund t’i vënë amerikanët në rrezik.  Me arrestimin e tyre dhe me këto akuza, ne kemi për qëllim që të pandehurit të marrin përgjegjësinë e tyre për këto veprime.”

“Kjo veprimtari e supozuar tregon një interes në vazhdim për marrjen në shënjestër të Sheteve të Bashkuara, si dhe të grupeve të mundshme opozitare që ndodhen në Shtetet e Bashkuara,” tha Ndihmës Drejtori Ekzekutiv McGarrity. “FBI do të vazhdojë t’i identifikojë dhe t’ua ndërpresë punën individëve që kërkojnë të marrin pjesë në veprimtari të jashtëligjshme, në emër të Iranit, në tokën amerikane.”

Padia akuzon Doostdar-in dhe Ghorbani-n se kanë vepruar me vetëdije si agjentë të qeverisë së Iranit pa njoftim paraprak të Avokatit të Përgjithshëm, kanë ofruar shërbime për Iranin duke shkelur sanksionet amerikane, si dhe për konspiracion.  Të dy të pandehurit u arrestuan më 9 gusht, në vijim të kallëzimeve penale të bëra nga Gjykata Amerikane e Distriktit për Distriktin e Kolumbisë.  Këto kallëzime u çvulosën sot.

Sipas padisë, në korrik apo rreth korrikut 2017, Doostdar ka udhëtuar për në SHBA nga Irani me qëllimin për të mbledhur informata inteligjence rreth entiteteve dhe individëve të konsideruar si armiq të regjimit nga qeveria e Iranit, duke përfshirë izraelitë dhe hebrej, dhe individë të lidhur me MEK, një grup që përkrah përmbysjen e qeverisë aktuale iraniane.

Më 21 korrik 2017 apo rreth asaj dite, Doostdar supozohet të ketë kryer mbikëqyrje të Shtëpisë Rohr Chabad, një institucion hebre që ndodhet në Çikago, duke përfshirë fotografimin e objekteve të sigurisë që e rrethojnë këtë ndërtesë.

Më 20 shtator 2017 apo rreth asaj dite, Ghorbani supozohet të ketë marrë pjesë në një tubim të MEK në New York City, gjatë të cilit ai ka fotografuar individë pjesëmarrës në protestën kundër regjimit aktual iranian.  Në dhjetor 2017 apo rreth atij muaji, Doostdar është kthyer në Shtetet e Bashkuara nga Irani dhe ka kontaktuar me Ghorbani-n në zonën e Los Angeles.  Gjatë këtij takimi, Doostdar i ka paguar Ghorbani-t rreth $2,000 para në dorë dhe Ghorbani i ka dorëzuar atij 28 fotografi të bëra në tubimin e MEK të shtatorit 2017, shumë prej të cilave përmbanin shënime të shkruara me dorë që identifikonin individët që shfaqeshin në foto. Këto fotografi, së bashku me një faturë të shkruar me dorë për $2000, janë gjetur të mbyllura në valixhen e Doostdar teksa kalonte në një aeroport amerikan gjatë kthimit të tij në Iran në dhjetor 2017.

Padia supozon gjithashtu se Ghorbani ka udhëtuar për në Iran në mars 2018 apo rreth atij muaji, pasi ka informuar Doostdar-in se do të shkonte në Iran për të marrë pjesë “personalisht në një mbledhje udhëzimesh.”  Më pas, më 4 maj apo rreth asaj dite, Ghorbani mori pjesë në  Konventën e Lirisë së Iranit për të Drejtat e Njeriut, që ishte e lidhur me MEK, në Uashington, D.C.  Gjatë konferencës, Ghorbani ka fotografuar disa folës e pjesëmarrës të caktuar, ku përfshiheshin delegacione nga disa vende të Shteteve të Bashkuara.  Më 14 maj, Doostdar i ka telefonuar Ghorbani-t për të diskutuar metoda klandestine që Ghorbani duhej të përdorte për t’ia dhënë këto informacione Iranit.

https://www.justice.gov/opa/pr/two-individuals-charged-acting-illegal-agents-government-iran

Please follow and like us: