Cikël poetik nga Sadik Bejko
Pylli dhe lakuriqi i natës
1.
Pyll i anëbotës.
pa ajër, pa gjethe,
në trung… karthjet
pa çerdhe.
pyll i përhimjes.
as trajta, as njerëz
as tjetër prani.
meshë i jep veç dhimbjes.
Varur kokëposhtë
drurit më të parë
të tjerët s’shohin,
s’flasin
ah… krime… pff… ndëshkime.
Frymë merret me gjethe,
me mushkëri
merren ethet.
Më e mira: rrënjë thellë nën tokë,
sesa degë sipër.
Po fjete me gjarpër
zgjohesh me dhelpër,
dhe fillikat,
kokëposhtë
si lakuriqi
vetëm e për vetëm.
2.
Prej sa e sa ditësh tej këtij pyllit tim,
Jam kaq keq i zhgënjyer.
gjaku t’më plasë mushkëritë,
aortën, venat, arteret,
t’më rrjedhë nga goja, hundët,
nga gishtat e duave, të këmbëve.
të mbetem vetëm eshtër,
i tharë krok, pa mish, ndjeshmëri.
si vetëndëshkim:
që dola shpelle,
dola pyllit tim…
në aq vjet nga brenda ndërtuar,
aq thukët në mjeshtëri.
Të nesërmen
(ka ca muaj më pëlqejnë zhgënjimet)
doli dielli,
me miq buzë lumit hodhëm kallamat,
shishet me verë i vumë te rrjedha me rrëmbim.
Mund t’ia mbajmë lart drejt burimit
lumit nëpër dallgë…
Mund t’ia mbajmë më lart
malit në shtrëgatë…
Dhe….
Dalë e ku të dalë.
Brenga
Brenga mund ta pastrojë ajrin e planetit gjer te zemra.
Thith pluhurat nga tunelet tona prej terri, i dlir
Si netët fshehur nën ngricë e borë teren nga dielli.
Në kohët ku akrepat ngelin, në blloqe mermeri,
Brenga si bleta hojet hap dhomëza të holla me dritë,
Zemrën e mbetur të orëve nga e para kurdis.
2017
Baladë
Ushtari i lashtë me fashë në sy
Drejt për Bagdad ia nis me msy.
Karvan e han… në rrugë të gjatë
Në krah atij iu ngjit një vashë.
Ushtar, i tha, ti m’u bëj shok,
Në rrugë të largë taban e shkop.
Helmetë në kokë… e thellë në trastë
Mortin e ftohtë, mortin e thatë.
Dhe ec e ec për në Bagdad
Vashë e ushtar mustaqetrashë.
Lëpin ushtari mort e plagë,
Mbi kokë i nxika një fantazmë,
Mbetur e gjallë prej motesh larg.
Shpata në brinjë i pikte gjak
E vasha krihej për merak,
Në çezmë këmbët kur i lan,
Fantazmës loti i ngrin kallkan.
Morti me dritë, vasha me natë
Dhe ecin, ecin për Bagdad.
Në ag kur brofën minaretë
Kjo vasha tinëz në dritë u tret.
Ushtar i motit mustaktrashë
Me mort për krahu pa një vashë.
Ushtari plak me shtizë në tru
Ish në Bagdad a s’dij se ku?
Beograd, 2012