Albspirit

Media/News/Publishing

Portreti i Ibrahim Rugovës në sallën e Parlamentit Europain

Finalistët e Çmimit Sakharov të Parlamentit Europian, fitues kanë qenë edhe Demaçi (1991) dhe Rugova (1998)

Parlamenti Evropian i dha çmimin “Saharov” presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Rugova ishte president i zgjedhur me votë nga një shumicë dërmuese e popullit të Kosovës nga që nga viti 1992. Ai drejtoi një rezistencë paqësore kundër sundimit jugosllav. Gjatë udhëheqjes së tij, ai loboi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për mbështetjen e SHBA si dhe të Evropës, posaçërisht gjatë luftës në Kosovë 1998-99. Në vitin 1998, Parlamenti Evropian e nderoi Rugovën me çmimin ‘Saharov’ duke e cilësuar si një njeri të përkushtuar ndaj parimit të rezistencës paqësore ndaj dhunës. “E konsideroj këtë çmim si nder për mua dhe për të gjithë popullin e Kosovës, njohjen e luftës sonë paqësore dhe sakrificave tona”, ishte shprehur ai. Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006. Rugova ishte personaliteti i dytë kosovar që u nderua me këtë çmim. Para tij çmimi iu nda veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçit. Demaçi në moshë të re nisi të avokojë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë gjë që i kushtoi me 28 vjet burgim në total. Burgimi i tij nisi në moshën 22 vjeçare, sapo kishte botuar romanin e tij të parë “Gjarpinjtë e gjakut”. Të parën herë ai u dënua me tre vjet burgim, të dytën me dhjetë dhe të tretën me pesëmbëdhjetë vjet burgim. Ai u lirua përfundimisht më 21 prill të vitit 1990 dhe një vit më pas u nderua me çmimin ‘Saharov’ për “kundërshtimin e tij ndaj një regjimi autoritar dhe intolerant”.

Rugova në ceremoninë e çmimit Saharov më 1998

Please follow and like us: