Sharapova ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit
Ylli rus i tenisit, Maria Sharapova, e ka dërguar vendimin për dënimin e saj për doping në gjykatën më të lartë të sportit, e cila është pajtuar të merret me këtë rast para Lojërave Olimpike që do të nisin në muajin gusht në Brazil.
Rusia tashmë e ka përfshirë Sharapovën në ekipin e saj olimpik.
Sharapova e ka dërguar rastin në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport duke kërkuar hedhjen poshtë apo edhe zvogëlimin e dënimit që thotë se ajo s’duhet të lejohet të luaj tenis për dy vjet.
Dënimi ishte vendosur para pak ditësh nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit.
Kampionja e pesëfisht e turneve të mëdha të tenisit, ishte testuar pozitive për meldonium gjatë “Australian Open” në muajin janar, diçka që ajo e kishte marrë para çdo beteje në këtë turne, edhepse substanca në fjalë ishte ndaluar prej 1 janarit.
Një panel prej tre personave të caktuar nga federata e tenisit ka thënë se Sharapova nuk e ka pasur për qëllim që të mashtroj sepse ajo nuk e ka ditur që meldonium ishte ndaluar, por megjithatë ajo mban përgjegjësi pasi doli pozitive në testet e kryera.
Paneli gjithashtu ka thënë se gjatë hetimit, kishte elemente që thonin se Sharapova e kishte përdorur substancën e ndaluar “me qëllim të përforcimit të paraqitjes së saj” gjatë turneut “Australian Open”.