Albspirit

Media/News/Publishing

Ndërhyrja ruse vazhdon në zgjedhjet amerikane 2018

Agjencitë amerikane të zbulimit, zbatimit të ligjit dhe të sigurisë po paralajmërojnë se Rusia vazhdon të ketë në shënjestër zgjedhjet e ardhshme për në Kongres, duke paraqitur dëshmitë e fundit me akuzat e reja kundër një shtetase rus të lidhur me oligarkun e njohur si “kuzhinieri i Putinit”.

Shtetet e Bashkuara bënë të ditur të premten padinë penale kundër 44-vjeçares Elena Alekseevna Khusyaynova nga Shën Petersburgu, duke e bërë atë të parën ruse të akuzuar në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2018.

Sipas akuzës penale, Khusyaynova ishte shefe e kontabilitetit në një përpjekje ruse të koduar si “Projekti Lakhta”, të drejtuar nga Agjencia e Kërkimeve në Internet – e njëjta kompani e mediave sociale e akuzuar më parë këtë vit nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Dokumentet e akuzave thonë se Khusyaynova mbikëqyrte shpenzimet për reklamat dhe promovimet e mediave sociale pasi ajo ndihmoi për të krijuar mijëra llogari të rreme në platforma si Facebook dhe Twitter, disa prej të cilave gjeneronin dhjetëra mijëra ndjekës.

Akuza kriminale thotë se Khusyanova po punonte me një buxhet prej miliona dollarësh – para që, sipas zyrtarëve amerikanë, vinin nga biznesmeni rus Jevgeni Prigozhin, i njohur si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të punës së kompanisë së tij për furnizimin me ushqim të presidentit rus Vladimir Putin. Prigozhin mendohet të ketë lidhje të ngushta me institucionet politike dhe ushtarake të Rusisë.

Please follow and like us: