Pse nuk hetohen fondet greke?
Çështja e ngritur së fundmi në Greqi për alokimin e një fondi prej 1 milion euro vetëm në muajin tetor për disa media elektronike në Shqipëri ka nxitur hetimin në shtetin grek për nxjerrje të sekretit hetimor.
Kjo çështje merr një rëndësi të veçantë në Shqipëri në kushtet kur shteti ynë dhe ai fqinj helen janë në mes të negociatave për delimitimin e hapësirave detare.
Nisur nga shqetësimi i ngritur nga kjo çështje, Ora News pyeti Prokurorinë e Përgjithshme nëse nga pala jonë ka nisur apo do të nisë një hetim për të parë se ku kanë përfunduar këto fonde dhe për çfarë qëllimi.
Në përgjigje të saj, Prokuroria e Përgjithshme u shpreh se në bazë të ligjit të ri për funksionimin e Prokurorisë, ky organ nuk mund të fillojë dot hetimet pasi nuk ka Drejtori hetimore.
Megjithatë çdo prokuror në Republikën e Shqipërisë mund të nisë procedimin në çdo pjesë të vendit.
Me ligjin e ri pjesë e reformës në drejtësi, Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme mund të përfaqësojnë organin e akuzës vetëm në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese dhe nuk mund të fillojnë hetimin e një çështje me themel.
Prokuroria e Përgjithshme as nuk mund t’i kërkojë prokurorive të rretheve gjyqësore të nisin një hetim kryesisht por vetëm mund të udhëzojë për një gjë të tillë.
Një hetim të tillë nga themeli, që nuk ka nisur ende, mund ta ndërmarrë çdo prokuror tjetër, pjesë e prokurorive të rretheve gjyqësore në mënyrë të pavarur, nëse nuk ka një kallëzim./oranews/