Albspirit

Media/News/Publishing

Tirana tronditet nga arrestimet e dy ish deputetëve, dy Arbenë bien në pranga

Arrestohet ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka. Mësohet se ish-deputeti i Lezhës akuzohet për tjetërsim prone.

Më herët u prangos edhe ish-kreu i burgjeve, Arben Çuko, që ka qenë i zgjedhur edhe si deputet.

Raportohet se Çuko dhe Ndoka ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ende nuk dihen se përse është arrestuar Ndoka.

Ndoka është prangosur nga RENEA pasditen e sotme së bashku me dy persona të tjerë.

Në shtator të vitit 2015, Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit, pasi kishte një dënim në Itali. Ndërsa sot ai ka rënë në pranga si pasojë e goditjes së ‘Forca e Ligjit’.

Por si është zbuluar Ndoka? Gjatë përgjimeve të një grupi kriminal ka dalë emri i Ndokës, i cili më pas është vendosur në përgjim duke zbuluar aferën që solli më pas arrestimin e tij nga policia pas urdhrit të prokurorisë. Ish-deputeti ishte në përgjim prej disa muajsh për këtë çështje.

Për skandalin e pronave në Lezhë janë arrestuar disa persona në vitin e fundit, mes tyre ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj.

Ndërkohë që Arben Çuko u shkarkuar si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve nga Ministria e Drejtësisë më 3 Shtator të këtij viti.

Ministrja Etilda Gjonaj tha se pas një auditimi, provat dhe dyshimet iu dërguan Prokurorisë që prangosi edhe Çukon në bashkëpunim me policinë.